Ilustrim editorial për çështjen 5D, me portrete, stemën e Bashkisë së Tiranës dhe një shënjestër.

Shkëlqimi dhe rënia e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës

Botuar më parë në Shteg, më 5 gusht 2024.

Pas vitesh në drejtimin e institucioneve të Bashkisë së Tiranës, një grup drejtorësh u shfaqën si investitorë në ndërtim e turizëm. Sipas dyshimeve të Prokurorisë së Posaçme, pas këtij suksesi qëndronte një skemë tenderash publikë: kontratat i shkonin kompanisë “5D Konstruksion”, ndërsa fitimet nxirreshin prej saj për t’u investuar në sipërmarrje të tjera.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, SPAK-u kishte proceduar penalisht të paktën gjashtë drejtorë: Redi Molla, ish-drejtor i UKT-së; Mariglen Qato, ish-drejtor i IMT-së; Taulant Tusha, ish-drejtor i Punëve Publike; Eglantina Zere, ish-drejtore e Tirana Parkingut; Enton Punavija, ish-drejtor i Transportit; dhe Deborah Keçi, ish-drejtore e Klubit Sportiv Tirana.

Në mars 2024, Gjykata e Posaçme miratoi tre masa sigurie “arrest me burg” për Mollën, Tushën dhe Qaton, si dhe gjashtë masa “detyrim paraqitje” për zyrtarë të tjerë të përfshirë në çështje.

Sipas njoftimit të SPAK-ut, Redi Molla dhe Mariglen Qato, gjatë ushtrimit të detyrës si drejtorë, shpallën fituese shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. në 11 tenderë nga viti 2016 deri në 2020. Prokuroria thotë se ka prova që tre ortakët e regjistruar ishin fiktivë, ndërsa pronarët e vërtetë ishin drejtorët.

Pas arrestimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj u distancua nga veprimtaria e ish-drejtorëve, me të cilët kishte bashkëpunuar prej nëntë vitesh. Në një mesazh në rrjetet sociale, ai deklaroi se nuk kishte përfituar nga tenderët për të cilët akuzoheshin ish-bashkëpunëtorët dhe se nuk kishte shkelur ligjin.

SPAK-u nisi hetimet në prill 2023 për veprat penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Një muaj më pas, në maj 2023, opozita bëri kallëzim. Dy procedimet u bashkuan në një të vetëm, nr. 75 të vitit 2023.

Prej vitesh, furra e bukës buzë rrugës “Fatmir Haxhiu” në Tiranë është ndalesë për shumicën e qytetarëve që presin urbanin në stacionin e “Rrugës së Elbasanit”. Në këtë biznes familjar punojnë bukëpjekësit me përvojë Vjollca dhe Muhamet Petriti, vajza dhe dhëndri i tyre.

Përtej vitrinës me prodhime brumi, familja Petriti duket se mbante të fshehur një sipërmarrje me të ardhura shumëfish më të larta.

Më 11 mars 2021, mes blerësve u shfaq Nestor Muhametllari. Ai kërkoi të takonte Metin, siç e thërrasin shkurt bukëpjekësin. Të dy kishin “punë në bankë”. Pak ditë më parë, Nestori i kishte dhënë para Metit për blerjen e një kompanie. Meti duhej t’i tërhiqte dhe t’ia kthente mikut të tij.

SPAK-u dyshon se këto transaksione ishin pjesë e një skeme që përfshinte dhëndrin e Metit, Alfred Qato, vëllanë e tij Mariglen Qato, ish-drejtor në Bashkinë e Tiranës, kolegun Redi Molla dhe disa zyrtarë të tjerë.

Hetimet zbuluan se Muhameti ishte prej katër vitesh pronar i kompanisë “5D”. Deri në mars 2021, kur ia kaloi Nestor Muhametllarit, kompania kishte fituar 24 tenderë publikë me vlerë rreth 1.5 miliardë lekë (13 milionë euro).

Ky sukses nuk ndryshoi jetën e Metit, i cili vijoi të punonte si bukëpjekës me pagë minimale në biznesin familjar.

Të dhënat bankare tregojnë se në vitet 2019-2021, Meti mori rreth 34 milionë lekë (rreth 300 mijë euro) dividend nga “5D”. Prokuroria është e bindur se ai nuk përfitoi prej tyre, por i tërhoqi për llogari të vëllait të dhëndrit dhe miqve të tij.

Kryqëzimi i dokumenteve të kompanisë me të dhënat nga punonjësit e saj forcoi dyshimet e prokurorisë se Qato e Molla ishin pronarët e vërtetë, ndërsa Meti përdorej për të tërhequr fitimet për ta.

Bisedat e zbardhura nga prokuroria mes Nestorit dhe Alfred Qatos treguan se, megjithëse në letra Nestori ishte vartës i Metit, ai nuk komunikonte me të dhe nuk i kishte as numrin e telefonit.

Ndërsa me Qaton dhe Mollën, nga shtatori 2019 deri në qershor 2023, Nestori pati mbi 1,500 thirrje telefonike, mesatarisht të paktën një në ditë.

Më 29 mars 2024, SPAK-u arrestoi dy ish-drejtorët me akuzat për “korrupsion” dhe “fshehje pasurie”. Gjashtë ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Tiranës u akuzuan për shkelje të barazisë në tenderë. Mes tyre ishte ish-drejtori i Punëve Publike Taulant Tusha, i arrestuar në gusht 2023 për shkelje lidhur me koncesionarin e menaxhimit të mbetjeve të Tiranës.

Gjykata e Posaçme e Apelit nuk u pajtua me cilësimin ligjor që SPAK-u i bëri veprimtarisë së dyshuar të Qatos dhe Mollës. Në vendimin e 3 majit 2024 për ankimimet e masave të sigurisë, të siguruar nga SHTEG-u, gjykata vlerësoi se ata duhej të procedoheshin për grup të strukturuar kriminal, përvetësim pasurie publike, pastrim parash dhe evazion fiskal.

Krijimi dhe ngritja e “5D”-së

“5D” u krijua në janar 2016 nga Eduard Meta, elektricist dhe mik i vëllezërve Qato. Ai vijoi punët private dhe u shkëput shpejt nga sipërmarrja.

Në gjashtë vite, deri në nëntor 2022, “5D” u shpall fituese në të paktën 32 tenderë publikë me vlerë totale mbi 2.8 miliardë lekë (27 milionë euro). Në hetimet paraprake, SPAK-u gjeti shkelje në thuajse gjysmën e tyre.

Në shumicën e rasteve, “5D” nuk plotësonte kushtet për të marrë pjesë në garë, por shpallej fituese në bashkim operatorësh me kompani të tjera. Pjesa kryesore e tenderëve jepej nga Bashkia e Tiranës, ku Qato dhe Molla kishin lidhje me drejtues si Taulant Tusha i Punëve Publike, Enton Punavija i Transportit dhe Eglantina Zere e Tirana Parkingut.

Nga 32 tenderët e fituar, 27 ishin në bashkëpunim me 20 kompani të tjera. Partnerët më të shpeshtë ishin “Kola Invest” (7 raste), e Jani dhe Sofokli Kolës, dhe “Rroku Guest” (4 raste), e Vera Gegës, bashkëshorte e Rrok Gegës, i dënuar për mashtrim me faturat tatimore.

“5D” bashkëpunoi edhe me kompani me volum të madh punësh publike, si “Fusha” dhe “Mane TCI”, të sipërmarrësve Shkëlqim Fusha dhe Samir Mane.

Gjykata e Posaçme e Apelit konstatoi se SPAK-u nuk kishte verifikuar nëse kompanitë partnere kishin dijeni për atë që përfaqësonte “5D”, apo nëse edhe ato mund të ishin përfshirë në veprimtari kriminale.

Pesë tenderët ku “5D” mori pjesë e vetme kishin vlerë totale 88 milionë lekë (850 mijë euro). Më i madhi ishte ai për ndërtimin e një shëtitoreje me korsi biçikletash pranë Liqenit të Thatë në Tiranë, në vitin 2021.

SPAK-u dyshon se fitimet nga tenderët u tërhoqën për të financuar sipërmarrje të tjera dhe se një pjesë e xhiros doli jashtë sistemit bankar përmes pagesave për punë fiktive.

Sipas hetimeve, “5D” u regjistrua pak javë përpara se Mariglen Qato dhe miku i tij Redi Molla të emëroheshin drejtues në Ujësjellës Kanalizimet Tiranë (UKT).

Molla u emërua drejtor i përgjithshëm në shkurt 2016, ndërsa Qato drejtor i Departamentit Mbështetës në mesin e marsit. Ata ishin njohur kur punonin në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në Bashkinë e Tiranës.

Në maj 2016, pa mbushur gjashtë muaj nga krijimi, “5D” fitoi tenderin e parë nga UKT-ja. Ajo u shpall fituese me “Kola Invest” për ndërtimin e një depoje uji, megjithëse nuk plotësonte kushtet.

Komisioni i vlerësimit të ofertave përbëhej nga Mariglen Qato, Durim Mustafa dhe Manjola Bunguri. Bunguri më vonë u punësua në “5D”, ndërsa Mustafa u përfshi në një sipërmarrje me një ish-drejtor tjetër për ndërtimin e një hoteli në jug. I njëjti komision e shpalli “5D”-në fituese në të paktën dy tenderë të tjerë për ndërtim rrjeti ujësjellësi dhe rikonstruksion kolektori.

Tenderët e parë kishin vlera 5-14 milionë lekë. “5D” bashkëpunoi me “Kola Invest” dhe “Rej”, të Luan Kaprit, kushëri i ish-kryebashkiakut të Pogradecit Eduart Kapri. SPAK-u vuri re se pjesën kryesore të punimeve e merrnin përsipër kompanitë partnere.

Në vitin 2018, sipërmarrja i kaloi për 100 lekë Muhamet Petritit, vjehrrit të vëllait të Mariglen Qatos. Administrator u emërua Nestor Muhametllari, mik i Redi Mollës. Ata ishin njohur në kompaninë “Gener 2”, ku punuan në vitet 2013-2015.

Pas këtyre ndryshimeve, ku drejtorët duket se vendosën njerëz të afërt në drejtimin e kompanisë, “5D” fitoi tre tenderë të tjerë nga UKT-ja gjatë gushtit 2018. Në dy prej tyre bashkëpunoi me “Kola Invest”. Vlerat ishin deri katër herë më të larta se të mëparshmet.

Më 25 gusht 2018, pesë ditë pas tenderit të fundit në UKT, Mariglen Qato u emërua drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës.

Në vitin 2019, “5D” fitoi katër tenderë me “Rroku Guest”, dy prej tyre në Bashkinë e Shkodrës. E vetme fitoi një tender në UKT dhe dy nga “Tirana Parking”. SPAK-u gjeti shkelje në dy prej këtyre tenderëve. Në njërin, anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave ishin Taulant Tusha dhe Enton Punavija. Në tenderët e “Tirana Parking”, vendimtare dyshohet të ketë qenë ndërhyrja e Eglantina Zeres.

Gjatë kësaj periudhe, mbi 34 milionë lekë dividend kaluan në llogarinë e Muhamet Petritit. Ai i tërhoqi me disa veprime bankare deri në tetor 2020. Prokuroria dyshon se paratë iu kaluan Qatos dhe Mollës.

Në vitin 2020, Molla u largua nga UKT-ja për të drejtuar “Tirana DC”, kompaninë publike të ndërtimit të krijuar nga Bashkia e Tiranës. “5D” vijoi të fitonte tenderë.

Në mars 2021, përmes një shitjeje që hetimi e konsideron fiktive, “5D” i kaloi Nestor Muhametllarit. Mbeti e paqartë nëse largimi i Muhamet Petritit shënoi edhe fundin e interesave apo lidhjeve të Qatos me kompaninë.

Pas marrjes së kuotave të Petritit, Muhametllari tërhoqi 31.5 milionë lekë (rreth 300 mijë euro) dividend të pashpërndarë nga vitet e mëparshme. Prokuroria dyshon se paratë iu kaluan Mollës.

Në vitin 2021, “5D” fitoi 8 tenderë. Katër ishin pjesë e programit të rindërtimit dhe parashikonin shembjen e 22 pallateve dhe ndërtimin e dy shkollave 9-vjeçare, “Dritas” dhe “Hasan Vogli”.

Shembja e pallateve në periferi të Tiranës u shoqërua me akuza nga opozita për manipulimin e vlerësimeve teknike në shërbim të interesave klienteliste në ndërtim.

Në këtë periudhë, “5D” mori lejen e parë për ndërtimin e një pallati 9-katësh në Yzberisht. Gjatë dy viteve në vijim, deri në vitin 2023, mori edhe tre leje të tjera ndërtimi në kryeqytet.

Më 9 korrik 2024, “5D” dhe projektet e saj u vunë nën sekuestro, me dyshimin se kompania ishte përdorur për përvetësim fondesh dhe pastrim parash.

Nga tenderët tek investimet strategjike

Në shtator 2020, pesë sipërmarrës krijuan një grup investimi për të ndërtuar një hotel luksoz 16-katësh pranë portit të Durrësit. Kapitali themeltar ishte 87 milionë lekë (700 mijë euro), ndërsa investimi i parashikuar 15 milionë euro.

SPAK-u dyshon se një pjesë e kapitalit themeltar erdhi nga paratë e tërhequra prej “5D”-së. Mbi këtë bazë, më 9 korrik 2024 u vendos sekuestro mbi një pjesë të aksioneve.

Dyshimet shtohen nga fakti se ndërtimi i hotelit i ishte besuar “5D”-së, duke krijuar një cikël të mbyllur. Në hetim u shqyrtuan edhe lidhjet mes personave të përfshirë dhe bisedat e zbardhura mes ish-punonjësve të kompanisë.

Përveç Mollës dhe Qatos, në këtë sipërmarrje dalin ish-drejtori i Bashkisë së Tiranës Elvin Tivari dhe sipërmarrësi Gazmend Haxhia. Në kohën e raportimit, Haxhia ishte nën hetim si përfitues i dyshuar nga skema e shpërdorimit të fondeve të Bashkimit Evropian, për të cilën po hetohej edhe ish-ministri Ilir Beqaj.

Më 4 shtator 2020, Gazmend Haxhia, Selim Molla dhe kushërinjtë Dritan Kadiu, Elvin e Bledar Tivari firmosën krijimin e “Mediterranean Investment Group”. Përveç Bledar Tivarit, të tjerët u përfshinë përmes kompanive të tyre: Haxhia me “Landways International”, Molla me “Restur”, Kadiu me “Daktur” dhe Tivari me “Etitur”.

Molla, Kadiu dhe Tivari i kishin themeluar kompanitë me 100 lekë kapital vetëm tre ditë më parë, më 1 shtator 2020. “Daktur” dhe “Etitur” kishin seli hotelin “Lidon” të Dritan Kadiut, në rrugën “Aleksandër Goga”, pranë “Rotondos Bizantine” në Durrës. Hoteli u bë edhe seli e grupit “Mediterranean”.

Një muaj më pas kishin gati projektin e hotelit, ndërsa një vit më vonë nënshkruan marrëveshjen bashkëpunimi për të sjellë në Durrës një markë të njohur të hotelerisë ndërkombëtare. Hoteli mori emrin “Crown Plaza”, ndërsa investitorët shqiptarë mbetën në hije.

Selim Molla, atëherë 72 vjeç dhe pa histori sipërmarrjeje, investoi 20 milionë lekë (168 mijë euro) për 24% të aksioneve të grupit. Pas vdekjes në dhjetor 2023, kompaninë “Restur” dhe kuotat në “Mediterranean Investment” ia la trashëgim të birit, Redi Molla.

SPAK-u dyshon se këto para vinin nga dividendi i “5D”-së, i tërhequr nga Nestor Muhametllari dhe Muhamet Petriti për llogari të Redi Mollës dhe Mariglen Qatos.

Elvin Tivari, ortak i Mollës në hotelin e Durrësit dhe ish-vartës i tij si drejtor i Departamentit të Shitjeve në UKT, ishte i angazhuar edhe në tregtinë e kafes, pijeve dhe mallrave me akcizë.

Në vitin 2018, ndërsa Tivari ishte drejtues në UKT, kompania e tij “Gourmet & CO” fitoi tenderin për furnizimin e Bashkisë së Tiranës me ujë të ambalazhuar.

Tivari investoi edhe në një hotel në Dhërmi dhe siguroi leje për zgjerimin e tij pak vite pas hapjes.

Ai rezulton ortak në hotelin luksoz “La Brisa” me Fatos Malajn, vëllanë e kryetarit socialist të Bashkisë së Matit, Agron Malaj. Biznesi u regjistrua në vitin 2022 me kapital themeltar 1.5 milionë euro, nga të cilat 600 mijë euro ishin kontribut i Tivarit.

Lidhjet me UKT-në i paraprijnë këtij bashkëpunimi. Malaj zotëron “Global Security”, kompaninë e themeluar nga i vëllai, ndër përfitueset kryesore të tenderëve publikë për shërbime sigurie.

Në vitin 2017, “Global Security” përfitoi 84 milionë lekë (840 mijë euro) nga tre kontrata me negocim direkt të UKT-së për roje fizike dhe ruajtjen e depove të ujit. UKT-ja drejtohej atëherë nga Redi Molla, ndërsa Tivari ishte vartës i tij.

Në vitet 2017-2021, “Global Security” fitoi edhe 13 kontrata ruajtjeje nga Bashkia e Tiranës, me vlerë totale 3.6 miliardë lekë (36 milionë euro).

Për zhvillimet e mëvonshme, lexoni raportimin mbi hetimet, akuzat dhe faktet në dosjen Veliaj (27 shkurt 2025) dhe analizën mbi përplasjen mes Ramës dhe Veliajt (3 nëntor 2026).

Lini një Përgjigje