Pamje ajrore e vendgrumbullimit të mbetjeve në Sharrë, me grumbuj mbeturinash dhe sipërfaqe dheu.

Inceneratori i Tiranës, SPAK shpall në kërkim 8 persona

Raportim dhe këndvështrimI pavarur

“Komenti është i lirë, por faktet janë të shenjta.” — C. P. Scott, 1921.

RIBOTUAR

Inceneratori i Tiranës, SPAK shpall në kërkim 8 persona

Erblin Vukaj · Botuar fillimisht: 16 korrik 2024

Në këtë shkrim

Prokuroria i akuzon si “grup i strukturuar kriminal” të përfshirë në një skemë pastrimi të rreth 20 milionë eurove. Megjithatë asnjë prej tyre nuk u arrestua pasi policia nuk i gjeti në Shqipëri.

Pamje ajrore e vendgrumbullimit të mbetjeve në Sharrë, me grumbuj mbeturinash dhe sipërfaqe dheu.
Credit: Kristi Çavo

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) njoftoi të martën, datë 16 korrik 2024, për 8 urdhër-arreste për abuzime në lidhje me koncesionarin e menaxhimit të mbetjeve të Tiranës. SPAK i akuzon si “grup i strukturuar kriminal” të përfshirë në një skemë pastrimi të rreth 20 milionë eurove. Megjithatë asnjë prej tyre nuk u arrestua pasi policia nuk i gjeti në Shqipëri.

Hetimet paraprake të punës së koncesionarit “Integrated Energy BV SPV” në vendgrumbullimin e mbetjeve të Sharrës në Tiranës kanë nxjerrë në pah një skemë pastrimi parash që sipas SPAK-ut drejtohej nga sipërmarrësit kontroversë Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Të dy ishin dënuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme për një skemë të ngjashme me koncesionarin e Elbasanit, ndërsa Zoto ishte dënuar edhe për çështjen e Fierit.

“Aktiviteti kriminal i pastrimit të produkteve të veprës penale, rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal,” – theksoi SPAK.

Për sa më sipër, SPAK-u ka kërkuar arrestimin e 3 të huajve Giuseppe Ciaffaglione, Marc Lapat dhe Michael Drujits si dhe 5 shqiptarëve Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, Renardo Nallbani, Ilir Dedja dhe Endrit Habilaj.

Tre të huajt rezultojnë ish-drejtues të kompanisë holandeze “GeoGenix BV”, e cila sipas SPAK u përdor nga Mërtiri e Zoto si guaskë për të fshehur pronësinë mbi koncesionarin “Integrated Energy BV SPV”.

Tollkuçi ka qenë administratore e koncesionarit të Tiranës, Nallbani administrator i koncesionarit të Elbasanit “Albtek Energy”, ndërsa Ymeraj dhe Dedja janë sipërmarrës.

Emri i Ymerajt u përmend në vitin 2022 në një denoncim nga opozita si pjesë e një skeme evazioni fiskal ku përfshiheshin 24 kompani.

Nga lista bie në sy emri i gazetarit Habilaj, ish-autor i një emisioni hulumtues në një nga televizionet kombëtare në Shqipëri.

Ndaj grupit rëndojnë katër akuza: mashtrim, pastrim parash, grup i strukturuar kriminal dhe veprimtari në kuadër të një grupi kriminal.

Koncesionet “djegëse” të parave publike

Koncesionari i menaxhimit të mbetjeve të Tiranës mori dritën jeshile për t’u zhvilluar pasi Bashkia Tiranë i paraqiti qeverisë nevojën për zgjerimin e vendgrumbullimit të Sharrës.

Pas kësaj, në vitin 2017, përmes një oferte të pakërkuar, sipërmarrësit kontroversë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, arritën të siguronin koncesionin 30-vjeçar për menaxhimin, zgjerimin e vendgrumbullimit, rehabilitimin e zonës dhe ndërtimit të një impianti djegës për prodhim energjie.

Projekti kërkonte 128 milionë euro investim, por punimet nuk u përfunduan teksa impianti i djegies së mbeturinave nuk u vu asnjëherë në punë.

Skema rezultoi e ngjashme me dy koncesionet e tjera të menaxhimit të mbetjeve në Fier dhe Elbasan, të cilat kishin nisur të ndërtoheshin në kushtet e “emergjencës mjedisore”, pas vitit 2014 dhe që lidheshin gjithashtu me Mërtirin e Zoton.

Opozita i cilësoi koncesione abuzive dhe gjatë viteve 2019-2020 ngriti ndaj tyre kallëzime të ndryshme penale, për këtë SPAK-u vendosi t’i trajtojë si çështje më vete Fierin, Elbasanin dhe Tiranën.

Rreth gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare 2021, SPAK-u arrestoi ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, të cilin e akuzoi për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Për akuza të ngjashme u arrestua një vit më vonë dhe ish-sekretari i tij, Alqi Bllako, i cili ishte bërë deputet. Në këtë periudhë Mërtiri e Zoto qenë shpallur në kërkim.

Në çështjen e Fierit, më 25 shtator 2023, Koka u dënua me 6 vite e 8 muaj burg dhe Bllako me 2 vite e 8 muaj, pas uljes së dënimeve nga gjykimi i shkurtuar. Në çështjen e Elbasanit, më 5 tetor 2023, Koka u dënua me 5 vite e 8 muaj burg pas gjykimit të shkurtuar, ndërsa Bllako u shpall i pafajshëm.

Në çështjen e Elbasanit, më 5 tetor 2023, Zoto dhe Mërtiri u dënuan në mungesë me nga 6 vite e 8 muaj burg secili, pas uljes me një të tretën të dënimeve prej 10 vitesh për shkak të gjykimit të shkurtuar. Zoto ishte dënuar në mungesë edhe për çështjen e Fierit, më 25 shtator 2023, me 8 vite burg pas uljes me një të tretën të dënimit prej 12 vitesh për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Për rastin e Tiranës, SPAK-u veproi gjatë vitit 2023. Në gusht sekuestroi koncesionarin, ndërsa në dhjetor lëshoi 15 urdhër-arreste, mes tyre sërish ish-zyrtarët Koka e Bllako, por dhe drejtori i Punëve Publike në Bashkinë Tiranë, Taulant Tusha. Çështja ndaj tyre mbetet ende nën hetim.

Botuar fillimisht te Shteg.org, më 16 korrik 2024.

Autor: Erblin Vukaj.

* Ky shkrim është rishikuar dhe saktësuar më 8 tetor 2026.

Lini një Përgjigje