Portret i Belinda Ballukut me dru, telefon dhe pishinë simbolike.

Vila në Dhërmi, planet në emailin e Ballukut: çfarë zbulon dosja e SPAK

Nga një telefonatë për drutë te planet e pishinës dhe porositë për kondicionerët, dokumentet e SPAK tregojnë si njerëzit pranë ish-zëvendëskryeministres administronin një vilë që zyrtarisht në dokumente shfaqet në emër të Igli Tares

“Shiko, vetëm mos na lagen drutë ka merak shefja!”

Ishte 23 dhjetor 2024, kur në një telefonatë të riprodhuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pjesë e strukturës së njohur si SPAK, Alketa Pano interesohet nëse Albert Ushe i ka futur drutë brenda. Ai i thotë se tre thasë janë sistemuar në shtëpi dhe të tjerët te dollapi. Kur ajo pyet përsëri nëse janë të mbrojtur nga shiu, ai përgjigjet: “U lagëm ne për të futur drutë, mos u mërzit”.

Në këtë bisedë Ushe ishte shofer, Pano nëpunëse ndërsa “shefja” Belinda Balluku, atëherë zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë. Vendi ku kishin shkuar drutë, sipas shpjegimit që Ushe, u dha hetuesve, ishte vila F6 në kompleksin White Rocks, në Gjilekë të Dhërmiut, në bregdetin jugor.

Por në kontratën e porosisë së kësaj vile nuk ishte emri i Ballukut. Ishte ai i Igli Tares, ish-futbollistit të kombëtares shqiptare dhe drejtues sportiv në Itali.

Organizimi kishte nisur një mbrëmje më parë, rreth orës 19:00, kur Ushe i shkruante Ballukut: “Shefe kam për të marrë ndonjë porosi për poshtë [Dhërmi]?”. Ajo i përgjigjej se kishte, dhe shtonte se duhej të merrte edhe dru nga shoferi i “Petritit” duke nënkuptuar ministrin e Financave Petrit Malaj.

Bisedat pasuese e identifikojnë personin që do të dorëzonte porosinë si Erald Sinani, shofer i ministrit. Ai dhe Ushe duket se bien dakord për vendin e dorëzimit pas ministrisë.

Ndërkohë, Joana Bushi, merrej me çelësat. Pano, të cilën aktet e SPAK-ut e përshkruajnë si vartëse të Ballukut në Kryeministri, ndiqte sistemimin e druve. Nga ana tjetër, Ushe shoqëronte edhe çiftin e pastruesve që do të pastronte vilën në Dhërmi.

Sigurisht, këto biseda nuk tregojnë që Balluku është hetuar apo po akuzohet për punë drush, por ato tregojnë sesi përdorej rrjeti i punonjësve të afërt të Ballukut për komoditetet personale të saj, kush merrte porosi, kush mbante çelësat e vilës dhe kush kujdesej për të.

Për prokurorët, këto biseda dhe dëshmi personale janë pjesë e provave të përdorimit dhe administrimit të një pasurie që dyshojnë se ish-zëvendëskryeministrja Balluku e kishte fshehur në emrin e dikujt tjetër.

Nga akuzat fillestare te vila në Dhërmi

Balluku kishte punuar me Edi Ramën që kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës. Biografia e saj politike shënon hyrjen në stafin e bashkisë më 2004 dhe më pas drejtimin e kabinetit të kryetarit deri në vitin 2011 kur Rama humbi zgjedhjet përballë Lulzim Bashës.

Më pas, nga shtatori 2013 kur socialistët fituan zgjedhjet, ajo drejtoi Albcontrol, shoqërinë që administron trafikun ajror të Shqipërisë.

Nga aty, në janar 2019 mori drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një portofol që përfshin rrugët, transportin ajror dhe energjinë. Ndërsa nga korriku 2022, Rama i besoi edhe postin e zëvendëskryeministres. Kombinimi i këtyre detyrave e vendoste Ballukun ndër njerëzit me më shumë peshë në qeverinë e tij, ndërsa sot, pas një vendimi edhe nga Gjykata Kushtetuese, ajo është ish-zyrtare e të dy posteve: Kuvendi miratoi shkarkimin e saj më 5 mars 2026 ndërsa më 12 mars refuzoi kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit.

Hetimi ndaj Ballukut nisi nga prokurimi i tunelit të Llogarasë, u zgjerua te kontratat e Unazës së Jashtme të Tiranës dhe përfshiu më pas tenderin e Albcontrol dhe pasuritë e dyshuara si përfitime korruptive të saj, ndërsa më 28 tetor 2026 u raportua njoftimi i përfundimit të hetimeve ndaj Ballukut.

Ky episod plotëson raportimin tonë të mëparshëm për dosjen Balluku, duke ndjekur lidhjen që prokurorët pretendojnë mes tenderit të Albcontrol dhe vilës në Dhërmi.

Historia e vilës “F6” trajtohet hollësisht në vendimin e SPAK të 16 tetorit 2026 për marrjen si të pandehur të Eurocol, kompanisë së ndërtimit me pronar dhe administrator Pandeli Carapulin.

Dokumentet e ngarkojnë shoqërinë me akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale. Sipas akuzës, Eurocol ishte favorizuar në një tender të Albcontrol kur institucioni drejtohej nga Balluku.

Vila e ndërtuar nga e njëjta kompani në Dhërmi, pretendojnë prokurorët, ishte përfitimi i parregullt që Balluku mori në këmbim. Kontrata ishte vendosur në emër të Tares dhe një qira e mëvonshme te ish-vartësja e saj, Joana Bushi, konsiderohen prej tyre si mjete për të fshehur këtë lidhje.

Për të mbështetur pretendimin, SPAK kthehet disa vjet përpara telefonatës për drutë.

Planet e pishinës në emailin e Ballukut

Më 3 prill 2020, në orën 10:18, Julian Kelo i dërgonte Ballukut një email me titull “Pishina”. Teksti ishte i shkurtër: “Mirmëngjes! Po të nis planet e pishinës”.

Po atë mbrëmje, sipas ekspertimit të përshkruar në aktet e SPAK-ut, Balluku ia përcjell email-in Viola Haxhiademit, drejtuese në Albcontrol.

Më 26 maj, Kelo i dërgon Haxhiademit preventivin për fazën e dytë të punimeve të pishinës. Ai veçon pllakat e kompanisë Brunes që e rrisnin çmimin dhe shpjegon se nuk bëhej ulje, sepse ishin me porosi.

Kelo e njihte Ballukun nga Albcontrol. Në vitin 2014 kishte qenë anëtar i komisionit që vlerësoi ofertat në tenderin e fituar nga Eurocol. Sipas të dhënave të punësimit të cituara nga SPAK, ai vazhdoi të punonte në Albcontrol deri në mars 2023. Në komunikimet për vilën, ai duket se merrej me plane, materiale, furnitorë dhe punëtorë.

Menaxheri i shitjeve të kompanisë Brunes, deklaron se Kelo i porositi materialet për pishinën dhe kërkoi që faturat të lëshoheshin në emër të kompanisë Albanian Facility Management. Kelo, nga ana e tij, e shpjegon këtë si përdorim të emrit të shoqërisë për faturën dhe daljen e mallit nga magazina. Ai thotë se pllakat i kishin përzgjedhur Balluku dhe Haxhiademi.

Pishina në fjalë u ndërtua gjatë vitit 2020. Pamjet satelitore të përshkruara në aktet e SPAK-ut tregojnë se nuk ishte aty në janar dhe ishte përfunduar në shtator. Ajo ndodhej në oborrin e përbashkët mes vilave F5 dhe F6, një hollësi e rëndësishme për të dalluar punimet dhe përdorimin e dy vilave.

Kelo pranon se Balluku dhe Haxhiademi i kërkuan të ndiqte pishinën. Por ai e paraqet ndihmën si marrëdhënie shoqërore dhe thotë se i ishte thënë që gjithashtu Haxhiademi kishte shtëpi në kompleks, ndërkohë që, dokumentet e riprodhuara nuk duket se japin një pasqyrë të plotë të personit që pagoi çdo shpenzim.

Ilustrim simbolik me dru, plan pishine dhe kondicioner të ulët.
Rikrijim editorial me AI

Belinda e “F6”-ës përpara kontratës së Tares

Dy vjet përpara email-it të pishinës, arkitekti i Eurocol Ives Durmishi po komunikonte me Aleksandër Semin, ekonomist dhe menaxher i kompanisë.

Më 19 maj 2018, në orën 20:58, Durmishi i shkruan: “Më mori ajo Belinda e F6-ës”. Ai vijon me kërkesën që Belinda duket se kishte për kondicionerë dyshemeje në katin e sipërm, në vend të atyre muralë të projektuar.

Në deklarimin e tij, arkitekti thotë se Balluku e kishte telefonuar për këtë ndryshim. Ai e kishte drejtuar te shefat, sepse ndryshime të tilla nuk i miratonte vetë. Sipas akteve të SPAK-ut, kontrolli i mëvonshëm i vilës konstatoi kondicionerë të vendosur në dysheme në katin e sipërm.

Kronologjia në këtë pikë ka rëndësi, pasi komunikimi që e identifikon Ballukun me vilën “F6” është i majit 2018, ndërkohë kontrata e porosisë në emër të Tares lidhet më 5 dhjetor të atij viti. Porositë për shtëpinë shfaqen në dosje përpara dokumentit që i jep asaj një porositës tjetër formal.

Kontrata përcaktonte çmimin 145 mijë euro. Sipas aktit, u paguan 70 mijë euro më 17 dhjetor 2018, ndërsa pjesa tjetër, 75 mijë euro, mbeti pa paguar. Ky detyrim i hapur nuk ka shpjegime, por nuk provon vetvetiu se pjesa e mbetur është falur apo dhuruar.

Eksperti i cituar në aktet e SPAK-ut e vlerëson vilën me 420 mijë euro në kohën e kontratës dhe rreth 720 mijë euro në vlerësimin e vitit 2026. Këto, natyrisht, janë vlera tregu, të ndryshme nga çmimi i kontratës dhe pagesa e përshkruar dhe diferenca nuk mund të shpallet automatikisht si shumatorja e një ryshfeti.

Mospërputhja mes emrit në dokumente dhe njerëzve që kujdeseshin për vilën rishfaqet te shërbimi i internetit. Kontrata e qershorit 2019 është në emër të Tares, ndërsa kontakti i klientit është ai i Kelos.

Tare deklaron se me lidhjen e internetit u mor vëllai i tij Agroni, ndërkohë Agroni thotë se nuk di kush i lidhi kontratat. Sipas SPAK, Tare nuk ndodhej në Shqipëri atë periudhë. Mungesa fizike, megjithatë, nuk e përjashton mundësinë e një përfaqësuesi të autorizuar.

Godina e Albcontrol në Rinas, e stilizuar nga një fotografi e vitit 2020.
Rikrijim editorial me AI

Kriteret që erdhën nga kompania fituese

Lidhja që prokurorët e SPAK-ut duket se po përpiqen të provojnë në dosjen e Ballukut nis më 2014, kur Albcontrol kërkonte të rikonstruktonte godinën.

Më 6 nëntor, Eurocol i dërgoi Evis Berberit, asokohe drejtues i prokurimeve në Albcontrol, një email me subjekt “Kriteret përfundimtare Albkontrolli (2)”. Katër ditë më vonë, më 10 nëntor, Balluku urdhëroi prokurimin dhe njësia përkatëse formalizoi kriteret.

Mes kërkesave të përbashkëta në materialin e kompanisë dhe dokumentet zyrtare ishin 27 punonjës dhe dy arkitektë në staf për periudhën tetor 2011-tetor 2014. Kishte edhe kërkesa të hollësishme për materialet. Versionet nuk përputhen në çdo pikë, por email-i ngre një pyetje të qartë: Pse një kompani që do të konkurronte në tender po i dërgonte drejtuesit të prokurimeve kriteret e tij përpara miratimit të tyre?

Vlen të thuhet se Eurocol fitoi me ofertën më të lartë nga katër ofertat që u listuan më pas: rreth 72,4 milionë lekë pa TVSH, afërsisht 517 mijë euro me kursin mesatar të vitit 2014. Tre konkurrentët u skualifikuan. Në arsyet e përjashtimit përsëriteshin disa nga kërkesat për licencat, arkitektët dhe dokumentet teknike që ishin përfshirë në materialin e dërguar.

Oferta më e ulët ishte rreth 48,3 milionë lekë pa TVSH, afërsisht 345 mijë euro. Diferenca nuk mund të quhet automatikisht dëm ekonomik për Albcontrol, për këtë duhet provuar se oferta më e lirë ishte e pranueshme dhe se përjashtimi i saj ishte i paligjshëm, gjë që nuk rezulton të jetë provuar.

Kontrata e Eurocol parashikonte edhe parapagimin e gjysmës së vlerës. Pagesa përkatëse ishte rreth 43,4 milionë lekë me TVSH, afërsisht 310 mijë euro dhe ishte pikërisht Balluku ajo që e firmosi kontratën.

Komunikimet e dhjetorit 2014 mes kompanisë dhe Berberit përfshijnë diskutimin e parapagimit dhe dërgimin e kontratës së firmosur.

Akti jep edhe arsye teknike për ndryshimet dhe zgjatjen e punimeve. Dokumenti i marrjes në dorëzim, i dhjetorit 2017, shënon se nuk kishte defekte. Pretendimi për manipulim të konkurrimit nuk duhet ngatërruar me një përfundim se godina nuk u punua ose punimet ishin fiktive.

Qiraja dhe shpjegimet që kundërshtojnë akuzën

Një tjetër emër kalon nga dokumentet e tenderit te vila e pretenduar se zotërohet nga Balluku: Joana Bushi. Në dhjetor 2014, si vartëse e Ballukut në Albcontrol ajo u ngarkua me shqyrtimin e ankesës së një konkurrenti; në dhjetor 2015 ishte pjesë e komisionit që negocioi shtesën e kontratës. Më 25 maj 2022 shfaqet si qiramarrëse e vilës “F6” nga Igli Tare.

Qiraja private ishte 450 euro në muaj, për dy vjet, me të drejtë rinovimi. Amendamenti i prillit 2024 e çonte vlerën në 600 euro. Vetë akti i SPAK-ut përshkruan dy depozita kesh prej 5,400 eurosh secila, në qershor 2023 dhe maj 2024, në llogarinë e Tares për qiranë e pretenduar.

Ekzistenca e këtyre pagesave është pjesë e historisë, teksa dhe dëshmitë nuk thonë vetëm se vilën e përdorte familja e Ballukut: një dëshmitare konfirmon përdorimin edhe nga Bushi. Ushe deklaron se nuk e dinte kush ishte pronari. Ai i referohej si vila e “shefes” sepse Balluku i kërkonte të çonte familjarët atje.

Tare, sipas një raportimi të Shteg më 4 qershor 2026, ka deklaruar se vilën e bleu më 2018 me të ardhura të ligjshme nga aktiviteti sportiv. Ndërkohë, Balluku ka mohuar akuzat dhe shkeljen e ligjit. Ky mohim i përgjithshëm nuk është përgjigje e veçantë për secilin komunikim të riprodhuar në aktet e mëparshme dhe aq më shumë në aktet e tetorit.

SPAK e konsideron qiranë pjesë të fshehjes së zotëruesit real. Por, sigurisht, për ta provuar këtë duhet të shpjegojë pse marrëdhënia ishte e simuluar, jo thjesht pse shtëpinë e përdorte edhe Balluku.

Porositë që i paraprijnë kontratës së Tares dhe qirasë së Bushit janë një pjesë e argumentit që po mundohen të forcojnë me prova prokurorët; ndërkohë që pagesat dhe përdorimi nga qiramarrësja e supozuar janë pjesa e kundërshpjegimit që vjen nga ana tjetër.

Kërkesat për fshirje komunikimesh

Në pranverën e vitit 2026, sipas tri deklarimeve të riprodhuara në aktet e SPAK-ut, Kelo kërkoi të fshiheshin komunikimet për pishinën.

Por, përfaqësuesi i kompanisë Brunes thotë se nuk e fshiu email-in e porosisë pasi nuk kishte aksesin përkatës dhe faturat gjendeshin gjithsesi në regjistrimet tatimore.

Ndryshe, dy persona të tjerë që punuan në pishinë, Matild Dragoti dhe Ermal Keco, deklarojnë se fshinë komunikime pas kërkesave të Kelos. Këqyrja e telefonit të Kecos, sipas akteve të SPAK-ut, tregonte aktivizimin e fshirjeve automatike të mesazheve nga Kelo më 4 maj 2026.

Vlen të theksohet se këto janë deklarime për veprime të Kelos dhe jo të Ballukut. Në fakt në pasazhet përkatëse dhe në gjithë materialet e SPAK-ut nuk ka urdhër apo tregues që bëjnë fjalë të vijnë nga ish-zëvendëskryeministrja për fshirjen e tyre.

Ndërkaq, vetë prokurorët konstatojnë një kufi në ndjekjen penale: Vepra e shkeljes së barazisë në tenderin historik të Albcontrol është parashkruar për Ballukun, Berberin dhe anëtarët e njësisë së prokurimit. Edhe korrupsioni aktiv për Carapulin dhe Eurocol përshkruhet si i parashkruar.

Parashkrimi do të thotë se, sipas prokurorëve, ka skaduar afati ligjor për ndjekjen e këtyre veprave; nuk është shpallje pafajësie dhe nuk shuan të gjithë çështjen. Për Eurocol, ky akt ngre akuzën e pastrimit, duke u përqendruar te fshehja e pretenduar e pasurisë.

Dosja përshkruan me hollësi njerëzit që ndiqnin punët e F6, nga kondicionerët te çelësat dhe drutë. Për akuzën, sfida është të provojë edhe hallkën tjetër: se vila ishte shpërblim për favorizimin e tenderit disa vjet më parë. Në komunikimet e riprodhuara nuk ka një marrëveshje të shprehur që e dokumenton drejtpërdrejt këtë shkëmbim. Prokurorët e ndërtojnë pretendimin nga ndërthurja e rrethanave dhe dokumenteve. Mbetet një akuzë për t’u provuar, jo një fajësi e vendosur nga biseda për shtëpinë e “shefes”.

Konvertimet orientuese në euro përdorin kursin mesatar të vitit 2014, 139,97 lekë për euro, sipas Bankës së Shqipërisë. Ato nuk janë kursi i ditës së pagesës.

Lini një Përgjigje