Ilustrim editorial me AI mbi foto të MIA/Kryeministrisë: Këshilli i Ministrave me elemente simbolike projektesh mbi tavolinë, jo projekte reale të asaj mbledhjeje.

Investimet strategjike: Rregulla të reja, qasje e vjetër

Projektligji ruan vendimmarrjen në qeveri, përjashtimet nga gara dhe trajtimin e dosjeve të mëparshme sipas ligjit të vjetër. Çfarë ndryshon dhe çfarë mbetet nga problemet që kanë ngritur gazetarët, organizatat dhe Bashkimi Europian.

Projektligji i ri për investimet premton garë, por ruan përjashtime pa konkurrim. Zëvendëson Kryeministrin me ministrin e Ekonomisë në kryesimin e komitetit, por nuk u jep votë bashkive. Dhe, ndërsa propozon shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, mban nën rregullat e tij edhe projektet që vetëm kanë aplikuar përpara hyrjes në fuqi.

Ky është kufizimi kryesor i reformës së hedhur në konsultim më 21 tetor, me afat deri më 18 nëntor 2026: shteti ndryshon mënyrën si organizon mbështetjen për investitorët, pa u dhënë komuniteteve një votë në këto vendime dhe pa e mbyllur menjëherë rrugën e vjetër. Drafti me 61 nene sjell përmirësime reale, nga thirrjet publike te kontrolli i mbështetjes që jep shteti. Por ato nuk mjaftojnë që publiku të kontrollojë të gjithë marrëdhënien mes investitorit, pronës publike dhe buxhetit.

Raportimet e Citizens e kanë nxjerrë këtë problem nga formulimet ligjore te pasojat konkrete: kush kontrollon kompanitë, çfarë territori merr projekti, cilat dokumente mungojnë dhe çfarë paguan shteti. Testi për ligjin e ri është nëse publiku do të marrë përgjigje të plota, jo thjesht më shumë vendime të publikuara.

Ligji i ri dhe dera që mbetet hapur për të vjetrin

Efekti i reformës varet fort nga neni 59. Sipas tij, jo vetëm kompanitë që kanë marrë status strategjik, por edhe ato që kanë aplikuar përpara hyrjes në fuqi, vazhdojnë të trajtohen sipas ligjit 55/2015. Kjo ruan trajtimin sipas rregullave të vjetra; nuk ua miraton automatikisht aplikimin.

Tekst nga projektligji “Për investimet”, versioni për konsultim i 21 tetorit 2026. Neni 59, dispozita kalimtare. Subjektet që kanë përfituar, apo që kanë aplikuar për statusin “Investim strategjik”, me procedurë të asistuar ose procedurë të posaçme, ose “investim me potencial strategjik”, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do vijojnë të vijojnë të mbështeten me procedurat e miratuara dhe t’i nënshtrohen dispozitave të ligjit nr. 55/ 2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Tekst nga projektligji “Për investimet”, versioni për konsultim i 21 tetorit 2026. Neni 59, dispozita kalimtare. Burimi: projektligji (DOCX).

Për projektet e miratuara, ka një argument të kuptueshëm: investitori e ka nisur projektin duke u mbështetur te rregullat dhe të drejtat që i njihte shteti. Ruajtja e rregullave të vjetra edhe për aplikimet që ende nuk kanë marrë përgjigje shkon më tej: aplikimet e mëparshme ruajnë rrugën e mbështetjes sipas ligjit të vjetër. Kjo nuk nënkupton përjashtim nga çdo rregull i ligjit të ri.

Prandaj duhen bërë të kontrollueshme lista, datat dhe gjendja e aplikimeve që përfitojnë nga ky rregull.

Për Sazanin, Zvërnecin apo një investim tjetër, zbatimi i këtij rregulli varet nga kompania që ka aplikuar, data dhe statusi i dosjes. Një leje zhvillimi nuk është vetvetiu provë e aplikimit për status strategjik. Edhe neni 61 e lë ende bosh datën e hyrjes në fuqi.

Këtu reforma mbetet larg kërkesës së Jorida Tabakut për ndaljen e efekteve të skemës dhe garë për pronat publike, shprehur në Komisionin e Ekonomisë më 7 prill 2026.

Për më tepër, 31 dhjetori 2026 në ligjin ekzistues është afati për paraqitjen e kërkesave, jo një datë kur çdo efekt i tij shuhet vetvetiu. Projektligji parashikon heqjen e ligjeve të mëparshme, por lejon që disa dosje të vazhdojnë sipas tyre. Edhe vendimet e vjetra zbatuese mund të përdoren, nëse nuk bien ndesh me ligjin e ri.

Pra, për një periudhë do të funksionojnë paralelisht dy grupe rregullash.

Nga publikimi i dokumenteve te kontrolli publik

Në analizën e 9 tetorit për “Pasqyrën e Flamingos”, Lorin Kadiu dokumentoi për Citizens hendekun midis dokumenteve të publikuara dhe atyre që mungonin: vendime, dokumentacion projekti dhe mjedisor, si dhe procesverbale negociatash për Sazanin. Publikimi i pjesshëm nuk i jepte publikut mundësinë të rindërtonte të gjithë vendimmarrjen dhe kostot e saj.

Nenet 21, 30 dhe 37 të draftit i përgjigjen pjesërisht këtij problemi. Pronat shtetërore që përfshihen në fondin e investimeve duhet të publikohen, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) duhet të publikojë hartën me vendndodhjen dhe kufijtë e pronave dhe vendimi i komitetit duhet të përmbajë të dhënat e regjistrimit të pronës, mbështetjen, infrastrukturën dhe afatet. Edhe vendimi për fituesin publikohet, sipas nenit 41.

Këto janë detyrime të rëndësishme, jo thjesht premtime politike. Megjithatë, ato nuk përbëjnë një detyrim të qartë për publikimin e dosjes së plotë, nga aplikimi dhe vlerësimi deri te kontrata, ndryshimet e saj dhe rezultatet vjetore. Një qytetar mund të shohë çfarë është miratuar, pa pasur ende mundësi të verifikojë gjithçka që është negociuar, paguar apo realizuar.

Një boshllëk i ngjashëm shfaqet te pronësia. Hulumtimi i botuar nga Citizens më 8 qershor për strukturat e Zvërnecit dhe Sazanit dalloi administratorët nga kontrolli ekonomik dhe evidentoi kufijtë që krijon pragu i deklarimit të pronarëve realë, pra personave që kontrollojnë ose përfitojnë nga kompania. Struktura ndërkombëtare e kompanive, në vetvete, nuk provon paligjshmëri; problemi është sa prej kontrollit real mund të verifikojë publiku.

Neni 26 përjashton nga mbështetja investitorin që nuk deklaron ose nuk përditëson të dhënat për pronarët realë sipas ligjeve në fuqi. Ai shtrin kontrollin edhe te ortakët, pronarët realë dhe personat që kanë fjalën vendimtare në kompani, por nuk kërkon vetë publikimin e të gjitha kompanive dhe personave në zinxhirin e pronësisë. Është përparim që mbështetja kushtëzohet me deklarimin e pronarëve.

Por kjo ende nuk i jep publikut të gjithë pamjen e pronësisë.

Një kërkesë tjetër e raportit të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) ishte përjashtimi nga përfitimet publike i pronarëve të mediave me biznese në sektorë të tjerë. Drafti përmend konfliktin e interesit, por nuk përmban këtë ndalim specifik; të dish kush e ka një kompani nuk është njësoj si t’i ndalosh pronarit të një medie të përfitojë mbështetje për bizneset e tjera.

Kontrolli i investitorëve nuk nis nga zero: edhe neni 13 i ligjit ekzistues kërkon verifikime të lidhjeve të mundshme me veprimtari të paligjshme. Përmirësimi duhet matur me atë që kontrollohet dhe si zbatohet në praktikë, jo duke e paraqitur çdo kontroll si risi.

Kryeministri largohet nga kryesimi, por qeveria mban vendimin

Argumenti më i fortë i qeverisë për reformën gjendet në vetë dokumentin shpjegues që shoqëron projektligjin. Ai pranon përqendrimin e investimeve në turizëm, pabarazinë territoriale, vonesat dhe faktin se statusi strategjik nuk garanton realizimin e investimit. Nga 54 projekte që kishin përfituar status gjatë periudhës 2016–maj 2025, 42 ishin në turizëm: një bilanc i datuar i qeverisë, jo numri aktual i projekteve.

Propozimi për të kaluar drejt zonave dhe sektorëve me potencial zhvillimi synon t’i japë mbështetjes një logjikë më të gjerë ekonomike. Kriteret e nenit 40 përfshijnë teknologjinë, cilësinë e punësimit, furnitorët vendas, mjedisin dhe uljen e pabarazive rajonale. Kjo është një alternativë më e arsyetuar sesa matja e suksesit vetëm me madhësinë e investimit.

Por kush e përcakton këtë logjikë? Komitetin e ri e kryeson ministri përgjegjës për ekonominë, në vend të Kryeministrit që kryeson Komitetin e Investimeve Strategjike. Anëtarët me të drejtë vote mbeten ministra; kryetarët e bashkive mund të ftohen, pa të drejtë vote.

Tekst nga projektligji “Për investimet”, versioni për konsultim i 21 tetorit 2026. Neni 29, fragment. Komiteti për Nxitjen e Investimeve funksionon si një organ administrativ kolegjial, i kryesuar nga Ministri përgjegjës për ekonominë dhe ka në përbërje të tij si anëtarë me të drejtë vote, ministrat përgjegjës për:
[…]
Komiteti, në mbledhjet e tij, mund të ftojë, pa të drejtë vote, ose titullarët të enteve publike përgjegjëse për fusha të tjera, si edhe kryetarët e bashkive ku zhvillohen investime, në varësi të çështjeve që diskutohen në mbledhjet e Komitetit.
Tekst nga projektligji “Për investimet”, versioni për konsultim i 21 tetorit 2026. Neni 29, fragment. Burimi: projektligji (DOCX).

Bashkitë kanë të drejtë të propozojnë zona dhe projekte. Megjithatë, të propozosh nuk është njësoj si të bashkëvendosësh: klasifikimi i zonave, mënyrat e mbështetjes, projektet private dhe pjesëmarrja e shtetit si partner miratohen nga komiteti i qeverisë. Drafti nuk krijon të drejtën e bashkisë për ta bllokuar një vendim apo një të drejtë vote për bashkinë e prekur.

Prandaj, ndryshimi bëhet brenda qeverisë; pushteti për të vendosur nuk kalon te bashkitë. Përfshirja e më shumë institucioneve mund të përmirësojë koordinimin, por nuk ndryshon vetvetiu raportin e pushtetit me komunitetet që përballojnë pasojat në tokën, bregdetin dhe lagjet e tyre.

Një komision i përhershëm me nëpunës të nivelit të lartë, që punon vazhdimisht dhe jo vetëm kur paraqitet një projekt, mund të ruajë përvojën e punës dhe të bëjë vlerësime më profesionale. Ky është edhe arsyetimi i dokumentit shpjegues për vonesat e modelit të vjetër. Por komisioni mbetet i përbërë nga përfaqësues ministrish, ndërsa mënyra e emërimit dhe pesha e kritereve do të përcaktohen nga qeveria.

Gara bëhet parim por përjashtimet kanë peshë

Neni 23 e vendos përzgjedhjen me garë të hapur si rregull të përgjithshëm. Thirrja duhet të tregojë pronat, mbështetjen, kriteret dhe mënyrën e aplikimit; afati për aplikime nuk mund të jetë më i shkurtër se 20 ditë. Komisioni rendit aplikantët dhe përzgjedh fituesin.

Këto rregulla krijojnë një bazë më të qartë për krahasimin e projekteve. Megjithatë, gara e vërtetë varet edhe nga mënyra si caktohen zona, përmasat e projektit dhe kriteret para hapjes së thirrjes. Nëse këto ndërtohen për një propozim të paracaktuar, publikimi i ftesës nuk mjafton për të siguruar rivalitet real.

IDM dhe Transparency International kanë rekomanduar ndaljen e kontraktimit pa konkurrencë dhe të shtyrjeve të ligjit strategjik. Parimi i ri i konkurrimit shkon në atë drejtim, por shfuqizimi formal duhet lexuar bashkë me përjashtimet dhe vazhdimësinë e dosjeve të vjetra.

Drafti lë tri hapësira të dukshme jashtë garës së zakonshme. Investimet mbi pronë private përjashtohen nga përzgjedhja me garë; për prona shtetërore ngjitur me pronën private ekziston një rrugë e posaçme pa konkurrim; ndërsa në zonat me mundësi të mesme dhe të ulëta zhvillimi, pas një thirrjeje pa aplikime, propozimet pasuese shqyrtohen sipas radhës së paraqitjes.

Përjashtimi për pronën private ka një arsyetim të kuptueshëm: shteti nuk po përzgjedh kush do të përdorë tokën e një pronari tjetër. Por nëse projekti merr mbështetje publike, pyetja e barazisë nuk zhduket. Duhet të bëhet e kontrollueshme pse ky investim merr një avantazh dhe çfarë përfiton publiku në këmbim.

Nenet 15 dhe 43 lejojnë vënien në dispozicion pa garë të një pasurie shtetërore ngjitur me pronën private, kur sipërfaqja e kërkuar nuk kalon 20 për qind të sipërfaqes private dhe përdorimi i saj është i domosdoshëm për akses, lidhje infrastrukturore ose funksionin e investimit. Neni 15 kërkon verifikimin ligjor të pronës dhe pagesën e plotë të vlerës sipas rregullave për llogaritjen e vlerës: nuk bëhet fjalë për dhurim falas.

Tekst nga projektligji “Për investimet”, versioni për konsultim i 21 tetorit 2026. Neni 15, pikat 3–4. 3. Në rastet e investimeve që realizohen mbi pasuri të paluajtshme private, kur për realizimin e investimit mund të jetë i domosdoshëm përdorimi i pasurive shtetërore kufitare me pasurinë private, për qëllime aksesi, lidhje me infrastrukturën ose për përdorim në funksion të investimit, investitori mund të aplikojë për vendosjen në dispozicion të pronës shtetërore kufitare, kur sipërfaqja e pasurisë shtetërore të kërkuar nuk tejkalon 20% të sipërfaqes së pasurisë private mbi të cilën realizohet investimi.

4. Në këto raste, këto pasuri mund t'i vihen në dispozicion investitorit pa procedurë konkurruese, nga organi administrues i pronës shtetërore, pasi organi përgjegjës për kadastrën, ka certifikuar statusin e tyre juridik dhe kundrejt pagesës së plotë të vlerës së pronës, përcaktuar sipas metodologjisë për vlerësimin e pronave të paluajtshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Tekst nga projektligji “Për investimet”, versioni për konsultim i 21 tetorit 2026. Neni 15, pikat 3–4. Burimi: projektligji (DOCX).

Megjithatë, pagesa sipas vlerësimit dhe çmimi që mund të nxirrte një garë nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë. Kufiri prej 20 për qind mat raportin me pronën private, jo rëndësinë publike të pasurisë shtetërore. Testi duhet të jetë domosdoshmëria e përdorimit, alternativa e mundshme dhe arsyetimi i përjashtimit, jo vetëm sipërfaqja.

Për procedurën me garë, neni 39 kërkon provë se investitori ka mundësi financiare në masën 20 për qind të vlerës së investimit, kundrejt të dhënave për përmbushjen e garancive financiare në masën jo më pak se 10 për qind të kërkuara nga neni 8(4) i ligjit ekzistues. Kjo tregon aftësinë për ta financuar projektin. Nuk do të thotë se paratë depozitohen ose bllokohen automatikisht si garanci për shtetin.

Kërkesa më e lartë mund të largojë aplikime pa mbështetje të mjaftueshme financiare, por nuk zëvendëson verifikimin e burimit të fondeve dhe financimit të projektit.

Prona publike, mjedisi dhe çmimi i mbështetjes

Hulumtimi i Citizens për Sazanin në mars dalloi sipërfaqen ku propozohen ndërtesat nga territori më i gjerë që konceptohej si një kompleks i vetëm turistik. Ky dallim mbetet i rëndësishëm: një përqindje ndërtimi nuk tregon e vetme sa territor mbetet realisht i përdorshëm nga publiku. Kjo ishte harta e një propozimi, jo akti i një transferimi përfundimtar të ishullit.

Neni 20 kërkon që përdorimi i brigjeve të përcaktohet me sipërfaqe, koordinata, kushte dhe afat, në përputhje me ligjet që rregullojnë bregdetin dhe përdorimin e tij. Për stacionet e plazhit, e drejta hyn në fuqi vetëm pas realizimit dhe funksionimit të strukturës turistike. Janë kufizime konkrete, por nuk e zëvendësojnë nevojën për të treguar në hartë dhe në kontratë kalimet, aksesin publik dhe mënyrën e mbrojtjes së tyre.

Mbështetja lidhet edhe me klasifikimin e zonës. Sipas nenit 16, prona shtetërore mund të vihet në dispozicion kundrejt 100 për qind të vlerës së përcaktuar në zonën me potencial të lartë, 50 për qind në atë me potencial të mesëm dhe një tarife të reduktuar në zonën me potencial të ulët. Forma e përdorimit dhe mënyra e llogaritjes së pagesës do të detajohen me vendim qeverie.

Kjo skemë mund të orientojë investime drejt zonave më pak tërheqëse. Por klasifikimi bëhet njëkohësisht vendim mbi madhësinë e avantazhit ekonomik që merr investitori. Prandaj duhen publikuar jo vetëm etiketa e zonës, por të dhënat, krahasimet dhe arsyetimi që e prodhojnë atë.

Për mjedisin, neni 34 kërkon të shënohet nëse prona ndodhet në një zonë të mbrojtur. Ta shënosh në dokument nuk do të thotë ta ndalosh investimin ose të rikthesh mbrojtjen që zona kishte më parë. Raportimi i Kadiut mbi ndryshimet ligjore dhe zonimin e bën pikërisht këtë dallim thelbësor: emërtimi “zonë e mbrojtur” duhet lexuar së bashku me atë që ligji lejon brenda saj.

EcoAlbania dhe Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) kanë kundërshtuar ndryshimet e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe kanë kërkuar rikthimin e mbrojtjes ekologjike dhe pjesëmarrje reale të publikut. Drafti nuk e shfuqizon ligjin 21/2024 dhe nuk vendos një ndalim të përgjithshëm të investimeve në zonat e mbrojtura. Pra, përfshirja e mjedisit në kriteret e vlerësimit nuk e përmbush atë kërkesë më të gjerë.

Kjo nuk do të thotë se ligjet e përgjithshme për konsultimin dhe mjedisin pushojnë së zbatuari. Do të thotë se ky tekst nuk krijon vetë një mënyrë të posaçme që banorët të marrin pjesë në vendim, jo vetëm të japin mendim. Garancitë që përmend neni 7 për informim dhe konsultim u drejtohen investitorëve, sipas legjislacionit në fuqi.

Çfarë kërkon Europa dhe sa paguan shteti

Qëndrimi i përbashkët i BE-së i 9 tetorit 2026 kërkon përfundimin e skemës së investimeve strategjike brenda vitit dhe një ligj të unifikuar në përputhje me rregullat europiane. Ai kërkon edhe transparencë në mbështetjen e biznesit, mbrojtje mjedisore dhe përfitim për komunitetet. Dokumenti rezervon vlerësimin përfundimtar nëse ligji i përmbush këto rregulla: nuk është miratim paraprak i këtij drafti.

Raporti i Komisionit Europian për vitin 2025 kishte evidentuar problemet e favorizimit dhe mungesës së konkurrimit, ndërsa për ndihmën shtetërore kërkonte kontroll efektiv dhe pavarësi në punën e institucioneve që kontrollojnë këtë mbështetje. Këto janë teste për rezultatin e reformës, jo kërkesa që përmbushen vetëm duke ndërruar titullin e ligjit.

Në këtë drejtim, neni 24 përbën një garanci të rëndësishme. Format e mbështetjes duhet të kontrollohen nëse respektojnë rregullat për ndihmën që shteti u jep bizneseve, ndërsa mbështetja individuale jepet vetëm pasi përmbushen procedurat përkatëse. “Ndihmë shtetërore” do të thotë avantazh ekonomik i financuar nga burime publike, që mund të ndikojë konkurrencën.

Neni 25 kërkon llogaritje të kostove dhe përfitimeve dhe monitorim, ndërsa rrezikun e funksionimit të biznesit duhet ta mbajë investitori. Kjo nuk është një ide krejt e re: edhe neni 7 i ligjit ekzistues ndalon kalimin te shteti të rrezikut të funksionimit të biznesit. Risia duhet kërkuar te lidhja mes analizës, miratimit të ndihmës dhe kontrollit gjatë zbatimit.

Këtu dokumenti shpjegues krijon një tension që kërkon sqarim: përfundon se zbatimi nuk ka efekte financiare shtesë në buxhet, ndërsa drafti lejon infrastrukturë mbështetëse, përdorim prone me pagesa të reduktuara dhe pjesëmarrje të shtetit si partner. Kjo nuk provon automatikisht shpenzim të ri jashtë buxhetit ekzistues. Por dokumenti nuk jep një përllogaritje që të lejojë kontrollin e kostos së këtyre formave të mbështetjes.

Kur e jep pronën me pagesë të ulur, shteti heq dorë nga të ardhura që mund t’i merrte, edhe kur nuk kryen një pagesë të menjëhershme. Po kështu, pjesëmarrja e shtetit sipas nenit 22 duhet vlerësuar kundrejt kontributit që jep dhe të ardhurave apo përfitimit publik që merr. Deklarimi i interesit publik nuk mjafton pa një bilanc të verifikueshëm për secilin projekt.

Neni 45 ua ndan monitorimin AIDA-s dhe ministrisë përgjegjëse dhe ua lë hollësitë vendimeve dhe rregullave që do të miratohen për zbatimin e ligjit. Për publikun mungon një detyrim i qartë në këtë nen për raportim periodik projekt më projekt: sa është investuar, sa njerëz janë punësuar, çfarë mbështetjeje është përdorur dhe çfarë masash janë marrë kur zotimet nuk janë mbajtur. Pa këtë, premtimi ekonomik rrezikon të mbetet më i dukshëm se rezultati.

Siguria e investimeve nuk është zëvendësim për llogaridhënien

Kreu për shqyrtimin e investimeve të huaja vendos një procedurë të detajuar për rreziqet ndaj sigurisë dhe rendit publik. Ai mbulon infrastrukturën dhe teknologjitë jetike për vendin, informacionin e ndjeshëm dhe larminë e zërave në media; parashikon autorizim me kushte, refuzim dhe masa korrigjuese. Ky kontroll nuk duhet ngatërruar me vlerësimin nëse një projekt meriton tokë apo mbështetje publike.

Ky mekanizëm nuk lind në boshllëk: Komisioni Europian kishte evidentuar bazën ligjore të shtuar në korrik 2025. Drafti përcakton kush vendos, si bëhet kontrolli, çfarë ndodh kur rregullat shkelen dhe si mund të kundërshtohet vendimi në gjykatë. Mbajtja e të dhënave të fshehta sipas nenit 51 i përket këtij shqyrtimi të sigurisë; nuk mund të përdoret si shpjegim i përgjithshëm për mbylljen e dosjeve të çdo investimi.

Edhe mbrojtja e investitorit ka kufij. Nenet 7 dhe 8 synojnë që premtimi për trajtim të drejtë të mos përdoret për të kërkuar të drejta shtesë që ligji nuk i jep, ose për të marrë automatikisht përfitime nga marrëveshje të tjera. Megjithatë, shteti mbetet i lidhur nga marrëveshjet ndërkombëtare që zbatohen për rastin konkret.

Neni 57 lejon përpjekje për marrëveshje me investitorin përpara se mosmarrëveshja të shkojë në gjykatë ose arbitrazh, pra përpara një trupe që vendos për konfliktin jashtë gjykatës së zakonshme. Kjo rrugë nuk zbatohet kur procesi gjyqësor ose arbitrazhi ka nisur dhe nuk është një zyrë e përgjithshme ankesash për banorët e prekur nga projekti.

Edhe afati 45-ditor për ankim, në nenin 55, lidhet vetëm me vendimet për kontrollin e investimeve të huaja nga pikëpamja e sigurisë. Ai nuk është afat i përgjithshëm për të kundërshtuar çdo investitor të shpallur fitues. Rrugët e ankimit që japin ligjet e tjera mbeten të zbatueshme.

Prova përfundimtare e reformës, pra, nuk është nëse ndryshon emri i komitetit. Është nëse publiku mund të shohë pronarin real, të krahasojë ofertat, të njohë koston e mbështetjes dhe të kontrollojë rezultatin. Drafti e afron sistemin me disa prej këtyre kërkesave, por nuk i garanton ende të gjitha: bashkitë nuk marrin të drejtë vote në komitet, gara ka përjashtime dhe transparenca ndalet përpara dosjes së plotë.

Lini një Përgjigje