Dy pamje të tymit të dendur që ngrihet nga grumbuj mbetjesh.

Zjarret përsëriten në landfille, Bushati i bashkohet Vlorës dhe Elbasanit

Raportim dhe këndvështrimI pavarur

“Komenti është i lirë, por faktet janë të shenjta.” — C. P. Scott, 1921.

RIBOTUAR

Zjarret përsëriten në landfille, Bushati i bashkohet Vlorës dhe Elbasanit

Erblin Vukaj · Botuar fillimisht: 21 prill 2026

Dy pamje të tymit të dendur që ngrihet nga grumbuj mbetjesh.
Ilustrim grafik/Citizens.al
Në këtë shkrim

Zjarri në Bushat dhe ndërhyrja

Zjarri që përfshiu vendgrumbullimin e mbetjeve të Bushatit në Vaun e Dejës duket se është vënë nën kontroll. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe reshjet lokale të regjistruara gjatë paradites së sotme duket se kanë qetësuar situatën shqetësuese që u regjistrua fillimisht mesditën e së dielës. Por dinamika që ajo ka lënë pas tregon qartë se menaxhimi i mbetjeve vijon të jetë problem edhe për bashkitë e veriut.

Në operacionin për mbulimin e vatrave u angazhuan struktura nga disa bashki, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Kamzën dhe Tiranën. Megjithëse nën kontroll, situata mbetet problematike.

Përhapja e flakëve qe favorizuar nga era e fortë, teksa nënkryetari i Bashkisë Vau i Dejës, Elvis Preçi, në disa dalje për mediat këmbënguli se banesat përreth nuk rrezikoheshin dhe se nga verifikimet e bëra nga kamerat e sigurisë nuk dyshohej për zjarr-vënie të qëllimshme.

Por pavarësisht dyshimeve fillestare për shkaqe aksidentale, ekspertë të mjedisit dhe urbanistikës si Imeldi Sokoli, janë shprehur hapur se ngjarja kërkon hetim të thelluar pasi landfilli në fjalë operon me kapacitete të kufizuara dhe ndodhet pranë pikës kritike të mbushjes, çka rrit rrezikun për incidente të tilla.

“Praktikat e mira të djegies së venddepozitimeve të mbetjeve erdhën edhe në Shkodër, Bushati është drejt mbushjes si venddepozitim, në një moment lind nevoja për t’i rënë shkurt [me djegie] dhe për të ulur sasinë e mbetjeve në të,” ironizoi në Facebook Sokoli.

Në Bushat nuk depozitohen mbetje të rrezikshme si ato spitalore apo të ndërtimit, por ndotja e shkaktuar nga djegia e ditëve të fundit ka pasur ndikim të lartë në mjedis, pas tymit të madh që shoqëroi për rreth tre ditë zonat përreth.

Landfilli dhe menaxhimi i mbetjeve

Ky episod rikthen në qendër të vëmendjes jo vetëm menaxhimin e landfillit të Bushatit, por edhe mënyrën se si funksionon i gjithë sistemi i mbetjeve në Shqipëri.

Në letër, ky landfill u ndërtua për të zëvendësuar vend-depozitimet e vjetra dhe për të ofruar një standard më të avancuar menaxhimi. Atje depozitohen edhe mbetjet e Bashkisë Shkodër, e cila ka pasur vështirësi për të mbyllur plagët e vjetra të depozitimeve të paligjshme, përfshirë fushën e mbetjeve pranë lumit Kir.

Në një korrespoendencë të mëparshme për Citizens.al kjo bashki ka konfirmuar se zona e ish-landfillit pranë Kirit është jashtë funksionit prej rreth 15 vitesh, por rehabilitimi i saj mbetet ende i parealizuar për shkak të kostove të larta.

Ky tranzicion drejt Bushatit, në letër, duhej të shënonte kalimin drejt një menaxhimi më modern të mbetjeve dhe rehabilitim të zonave të vjetra. Por në praktikë, ai duket se thjesht ka zhvendosur problemin, duke mos e zgjidhur atë.

Zjarret e përsëritura dhe politikat e mbetjeve

Zjarri në Bushat pason një seri episodesh të ngjashme në vend. Zjarret në landfillin e Elbasanit dhe ato në Vlorë vitin e shkuar ekspozuan të njëjtat dobësi ku sistemi i menaxhimit të mbetjeve mbështetet thuajse tërësisht te depozitimi. Trajtimi dhe riciklimi mbetet thuajse minimal, ndërsa kapacitetet për përpunim apo incenerim janë të kufizuara ose jo funksionale – siç u provua nga hetimet për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.

Zgjidhja që u pa e arsyeshme vjet në Elbasan ishte thjesht zgjerimi i landfillit me një hapësirë tjetër toke. Ngjashëm kjo zgjidhje është parë vitet e fundit edhe në Tiranë, për landfillin e Sharrës, pavarësisht se prej vitesh ka pasur debate në lidhje me politikën e zgjedhur të incenerimit të mbetjeve, e cila pas hetimeve nga SPAK rezultoi në skemë mashtrimi, pasi mbetjet vetëm depozitoheshin. Në parim, incenerimi do të duhej ta lehtësonte nevojën për zgjerim dhe hapësira të reja landfilli.

Në këtë kontekst, në një editorial për Citizens.al gazetari i pavarur i mjedisit Artan Rama ka argumentuar se sistemi i menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri ka dështuar dhe kërkon një rikonceptim të plotë. Sipas tij, problemet nuk lidhen vetëm me kapacitetet teknike, por me mungesën e një politike të qëndrueshme dhe me ndikimin e interesave që kanë orientuar zhvillimin e sektorit.

Ndërkohë, përpjekjet ligjore për të reformuar këtë fushë nuk kanë prodhuar ndryshime të dukshme në praktikë. Projektligjet e miratuara apo në proces janë shoqëruar me kritika për mungesë transparence dhe rrezik për favorizim të interesave private, ndërsa mekanizmat e monitorimit mbeten të dobët.

Në këtë sfond, fakti që zjarri në Bushat u vu nën kontroll nuk e zbeh domethënien e tij. Përkundrazi, ai e bën më të qartë natyrën ciklike të krizës. Një sistem që arrin kufijtë e tij, prodhon incidente dhe më pas “përgjumet” a thua u rikthye në funksion, por pa adresuar shkaqet themelore.

Por për sa kohë nuk ka reflektime për ndryshime rrënjësore politikash në lidhje me menaxhimin e mbetjeve, episodet e zjarreve si në Bushat, apo dhe Elbasan, Vlorë e gjetkë, duket se do të vijojnë të ndodhin.

Botuar fillimisht te Citizens.al, më 21 prill 2026.

Autor: Erblin Vukaj.