Stema dhe emri i Gjykatës Kushtetuese në hyrjen e godinës.

Monopatinat në Kushtetuese, kërkohet shfuqizimi i udhëzimit të ministrisë

Raportim dhe këndvështrimI pavarur

“Komenti është i lirë, por faktet janë të shenjta.” — C. P. Scott, 1921.

RIBOTUAR

Monopatinat në Kushtetuese, kërkohet shfuqizimi i udhëzimit të ministrisë

Erblin Vukaj · Botuar fillimisht: 11 mars 2026

Stema dhe emri i Gjykatës Kushtetuese në hyrjen e godinës.
Ilustrim grafik/Citizens.al
Në këtë shkrim

Kërkesa dhe argumentet e aktivistëve

Aktivistë të shoqërisë civile iu drejtuan sot Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar ndalimin pa afat të monopatinave elektrike, një vendim i marrë nga Ministria e Brendshme në tetor të vitit 2025 dhe që prej atëherë ka shkaktuar debat publik për lirinë e lëvizjes dhe mënyrën e përdorimit të rrugëve.

Dy organizata të shoqërisë civile, “Qëndresa Qytetare” dhe “Drejtësi Sociale,” depozituan sot kërkesën për shfuqizimin e Udhëzimit nr. 169, datë 13.10.2025, të firmosur nga ish-ministrja e Brendshme Albana Koçiu. Aktivistët argumentuan se udhëzimi për ndalimin e monopatinave elektrike cenon disa të drejta kushtetuese, përfshirë lirinë e lëvizjes, lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të drejtën e pronës.

Sipas tyre, masa administrative që pasoi udhëzimin – përfshirë sekuestrimin e monopatinave nga policia – ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset që operojnë në këtë sektor.

Avokati Gentian Sejrani, nga Drejtësi Sociale, i cili përfaqëson aktivistët në këtë proces, tha se vendimi për t’iu drejtuar Kushtetueses erdhi pas disa muajsh paqartësie dhe mungese reagimi nga institucionet.

Ai argumentoi se aktualisht mbi 1,000 monopatina elektrike mbeten të bllokuara nga policia, edhe pse fillimisht autoritetet kishin deklaruar se sekuestrimi i tyre do të ishte i përkohshëm dhe nuk do të zgjaste më shumë se 30 ditë.

Shiko materialin multimedial në burimin origjinal

“Po përballemi me cenim të së drejtës së pronës dhe të lirisë ekonomike,” tha Sejrani pas depozitimit të kërkesës. “Biznese që operojnë me monopatina janë prekur drejtpërdrejt nga ky udhëzim dhe disa prej tyre po shkojnë drejt falimentimit.”

Sipas tij, vetë udhëzimi ka paqartësi për kohëzgjatjen e zbatimit dhe nuk përcakton qartë një afat për ndalimin e këtyre mjeteve.

Për këtë arsye, aktivistët kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe pezullimin e menjëhershëm të udhëzimit, deri në momentin që gjykata të marrë një vendim përfundimtar mbi çështjen.

“Kjo do t’u mundësonte qytetarëve të rimarrin mjetet e tyre dhe do të shmangte një dëm të mëtejshëm,” shtoi Sejrani.

Rigels Xhemollari, nga organizata Qëndresa Qytetare, tha se aktivistët dhe përdoruesit e monopatinave kishin kërkuar për muaj me radhë një zgjidhje përmes dialogut institucional, por sipas tij përpjekjet nuk kishin marrë përgjigje.

“Aksioni i policisë ka qenë disproporcional dhe i palogjikshëm,” tha Xhemollari. “Monopatinat janë mjete që ndihmojnë në reduktimin e trafikut, ndërsa ndalimi i tyre e rëndon edhe më shumë menaxhimin e trafikut në qytet.”

Ndalimi dhe debati për transportin urban

Debati për monopatinat elektrike shpërtheu në tetor 2025, pasi policia nisi një aksion të gjerë në Tiranë dhe disa qytete të tjera për sekuestrimin e tyre, duke argumentuar se përdorimi i këtyre mjeteve ishte i parregulluar dhe përbënte rrezik për sigurinë rrugore.

Vendimi u mor në një kohë kur monopatinat elektrike po përdoreshin gjithnjë e më shumë në kryeqytet si alternativë transporti për distanca të shkurtra, veçanërisht mes të rinjve.

Sipas aktivistëve, ndalimi i monopatinave nuk merr parasysh problemet strukturore të transportit urban në qytetet shqiptare.

Ata argumentojnë se sistemi i transportit publik mbetet i amortizuar, ndërsa mungesa e parkingjeve dhe kostot në rritje të karburantit e bëjnë gjithnjë e më të vështirë përdorimin e automjeteve private.

Në këtë kontekst, monopatinat elektrike shihen si alternativë transporti me kosto të ulët dhe ndikim më të vogël në trafik dhe ndotje.

Xhemollari tha se janë rreth 10 mijë përdorues të këtyre mjetesh vetëm në Tiranë duke shtuar se vendimi i qeverisë nuk merr parasysh nevojat reale të qytetarëve.

Ai krahasoi situatën në Shqipëri me praktikat në kryeqytetet europiane.

“Parisi, Roma apo Berlini nuk i kanë ndaluar monopatinat,” tha ai. “Ato i kanë rregulluar përmes ligjit. Pikërisht këtë kërkojmë edhe ne: rregullim përmes parlamentit dhe jo një ndalim administrativ.”

Rruga drejt Gjykatës Kushtetuese

Çështja e monopatinave mund të shënojë edhe një precedent juridik pasi kjo është hera e parë që një udhëzim ministri dërgohet drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese.

Zakonisht, aktet administrative të këtij lloji kontestohen fillimisht në Gjykatën Administrative dhe vetëm më pas, nëse lind një çështje kushtetuese, ajo kalon në Gjykatën Kushtetuese.

Në këtë rast, sipas Sejranit, aktivistët vendosën të kalojnë direkt në Kushtetuese, sepse argumenti kryesor lidhet me shkeljen e të drejtave themelore.

“Konstatimet tona kanë të bëjnë me të drejta kushtetuese,” tha ai për Citizens.al. “Për sa kohë që kemi të bëjmë me cenim të lirisë së lëvizjes, të drejtës së pronës dhe lirisë ekonomike, gjykata që duhet ta shqyrtojë është Gjykata Kushtetuese.”

Ai pranoi se kjo qasje nuk është ndjekur më parë, por shtoi se mund të krijojë një precedent për mënyrën se si aktet administrative që prekin drejtpërdrejt të drejtat themelore mund të sfidohen në të ardhmen.

“Është hera e parë që ndodh, por le të jetë një precedent,” tha Sejrani.

Ndërsa çështja kalon në Gjykatën Kushtetuese, debati për monopatinat ka nxjerrë në pah një problem më të gjerë për mënyrën se si rregullohet lëvizja urbane në Shqipëri.

Nga njëra anë, autoritetet argumentojnë se mungesa e rregullave të qarta për përdorimin e monopatinave përbën rrezik për sigurinë rrugore. Nga ana tjetër, aktivistët dhe përdoruesit e tyre thonë se ndalimi total nuk është zgjidhje dhe se vendi ka nevojë për një kuadër ligjor që të përcaktojë qartë mënyrën e përdorimit të këtyre mjeteve.

Vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese në muajt në vijim pritet të jetë vendimtar jo vetëm për fatin e monopatinave elektrike, por edhe për mënyrën se si institucionet shqiptare mund të ndërhyjnë në rregullimin e formave të reja të mobilitetit urban.

Botuar fillimisht te Citizens.al, më 11 mars 2026.

Autor: Erblin Vukaj.