Grupi i dytë i emigrantëve të ardhur nga Italia ecën i shoqëruar në Shëngjin.

Pakti Meloni-Rama në krizë, 7 emigrantë të tjerë kthehen në Itali

Raportim dhe këndvështrimI pavarur

“Komenti është i lirë, por faktet janë të shenjta.” — C. P. Scott, 1921.

RIBOTUAR

Pakti Meloni-Rama në krizë, 7 emigrantë të tjerë kthehen në Itali

Erblin Vukaj · Botuar fillimisht: 12 nëntor 2024

Grupi i dytë i emigrantëve të ardhur nga Italia ecën i shoqëruar në Shëngjin.
Twitter/Foto ilustruese nga mbërritja e grupit të dytë të emigrantëve nga Italia në Shëngjin.
Në këtë shkrim

Kthimi i emigrantëve dhe vendimi i gjykatës

Pakti “Meloni-Rama” ka marrë një tjetër goditje pasi edhe grupi i dytë i emigrantëve që u vendosën në Shqipëri javën e shkuar u kthyen në Itali.

Kjo e çon në 24 numrin e atyre që janë sjellë dhe më pas kthyer nga Shëngjini në Itali – bashkë me ata që u kthyen për shkak të shëndetit – në më pak se një muaj nga nisja e zbatimit të marrëveshjes mes dy qeverive.

Emigrantët e radhës u nisën mbrëmjen e së hënës nga Shëngjini drejt Brindizit, atje ku parashikohet të vendosen në kampet e pritjes për shqyrtim të zakonshëm të kërkesave për azil.

Gjykata e Romës pezulloi shqyrtimin për miratimin e ndalimit të shtatë nga tetë emigrantëve që u mbyllën në kampin e Gjadrit të premten, duke iu drejtuar Gjykatës së Drejtësisë së BE-së. Pezullimi nuk e ndali afatin ligjor 48-orësh, pas të cilit ndalimi mbetej pa fuqi në mungesë të miratimit gjyqësor.

Njëri prej tyre ishte kthyer që ditën e mbërritjes për shkak se rezultoi me shëndet të rënduar. Tashmë kampi i Gjadrit është sërish bosh.

Në vendimin e saj gjykata iu referua edhe njëherë çështjes së cilësimit “të sigurta, apo të pasigurta” të vendeve të origjinës së emigrantëve.

Ajo arsyetoi se “cilësimi përcaktohet nga legjislacioni i BE-së”. Gjykata kërkoi sqarim nëse cilësimi nga Italia i vendeve të origjinës, përfshirë Egjiptin dhe Bangladeshin, përputhet me kriteret e BE-së. Ajo theksoi gjithashtu se “ligjet e BE-së mbizotërojnë ligjin kombëtar” kur ky i fundit bie ndesh me to.

Edhe tre javë më parë, Gjykata e Romës nuk miratoi ndalimin e 12 emigrantëve të tjerë që u mbyllën në Shqipëri në kampin e Gjadrit, hapur në kuadër të marrëveshjes “Meloni Rama”, e cila u nënshkrua vitin e shkuar për “menaxhimin e flukseve migratore”.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka këmbëngulur se cilësimi i vendeve “të sigurta” apo “të pasigurta” është përgjegjësi e qeverisë dhe jo gjykatave, një qasje që pritet të sqarohet nga vetë Gjykata Evropiane e Drejtësisë në pranverë.

Organizata italiane “Sea Watch” e ka cilësuar procedurën e vazhduar për dërgimin e emigrantëve nga Lampedusa në Shëngjin si “shaka çnjerëzore”.

Më shumë se “menaxhim” pakti Itali-Shqipëri synon dekurajimin e flukseve migratore.

Ardhja nga vende “të sigurta” i fut emigrantët në procedura të shpejta shqyrtimi kërkesash të mundshme azili, të cilat në të shumtën e rasteve mbyllen me refuzime dhe dëbime në vendet e origjinës.

Kjo shpjegon se përse qeveria e Melonit rishikoi cilësimet në pranverën e këtij viti duke konsideruar Egjiptin dhe Bangladeshin vende të sigurta.

Reagimet për çështjen

Çështja e marrëveshjes “Meloni-Rama”, zbatimi i së cilës është penguar nga vendimet e gjykatës së Romës, ka tërhequr vëmendjen në rrjet teksa një koment i Elon Musk u bë viral të martën.

Manjati i teknologjisë dhe makinave elektrike, i rreshtuar krah Donald Trump në fushatën presidenciale, u shpreh në një koment drejtuar gazetarit Mario Nawfal se “gjykatësit duhet të largohen”.

These judges need to go

— Elon Musk (@elonmusk) November 11, 2024

Kjo nuk është hera e parë që Musk bën thirrje të tilla. Ai e ka takuar disa herë Melonin, për të cilën ka shprehur publikisht mbështetje, sidomos në çështjen e emigrimit të paligjshëm.

Botuar fillimisht te Citizens.al, më 12 nëntor 2024.

Autor: Erblin Vukaj.

* Ky shkrim është rishikuar dhe saktësuar më 8 tetor 2026.