Miti i Sigurimit pas rënies së regjimit komunist.

Në këtë shkrim

Frika nga policia sekrete në vitin 1997

Siç kam analizuar në postimet e tjera, me anë të “heroit” Hoxha, Sigurimi i Shtetit krijoi mitin e tij. Mit i cili edhe pas vdekjes së “heroit” vazhdoi të mbetej mes nesh. Ngjarjet e vitit ’97-të e tregojnë më së miri këtë aspekt.

Në këto ngjarje më shumë se fakte, mund të gjejmë fakt-ngjarje që madje tregojnë qartë edhe pasojat që ka lënë ky mit në psikikën sociale. Viti ’97, ishte viti kur vendi do të kalonte një turbullirë e cila do të shkaktonte rënien e Shtetit, vendosjen e anarkisë dhe mbizotërimin e terrorit.

Pa i hyrë shumë historisë sesi dhe pse ngjau, periudha shkurt-mars e këtij viti ishte periudha në të cilën “të gjitha kategoritë e njerëzve” shfrynë dufin e tyre kundrejt Shtetit, harruan për një moment frikën dhe vollën vrerin e një brezi të tërë (atij brezi që kishte përjetuar traumat e diktaturës) në sy të gjithë sistemit, të cilin jo vetëm që e akuzonin për vjedhje por edhe për zhdukje njerëzish. Por megjithëse Shteti kishte rënë dhe njerëzit ishin armatosur, mes bandash dhe të fortësh lagjeje qëndronte frika e SHIK-ut (Shërbimit Informativ Kombëtar, krijuar në vitin 1991 si rezultat i reformimit të ish-Sigurimit të Shtetit). Ngjarjet në Vlorë, Elbasan apo dhe në Lushnje do të tregonin qartë paranojën që vazhdonte të ekzistonte mes njerëzve nga policia sekrete.

Dëshmitë për ngjarjet e Vlorës

Tre gazetarë, Frrok Çupi, Mero Baze dhe Blendi Fevziu dëshmojnë në librat e tyre për këtë frikë. Fevziu në librin e tij “100 Vjet”[1] duke përshkruar ngjarjet e Vlorës, ndodhur në shkurt të atij viti, ku 50 studentë u futën në grevë urie për të kërkuar rikthimin e parave por edhe rrëzimin e Qeverisë, thotë se “…u hapën fjalë që SHIK-u do të vinte atë pasdite për t’i nxjerrë forcërisht nga greva. Mes tyre, frika nga SHIK-u kthye në paranojë…”

Ai shton më tej se “…në mbrëmje u hap fjala se një furgon i bardhë pati marrë peng 2 studentë dhe më pas qe futur në godinën e SHIK-ut…” Pas këtyre fjalëve Fevziu shkruan se njerëzit iu drejtuan godinës duke e mësyrë. Viktima të mësymjes do të ishin 3 efektivë, ku njëri prej tyre u masakrua me sëpatë në sy të turmës.

Kjo dëshmi e kësaj ngjarjeje tregon realisht mitin e krijuar të këtij institucioni të cilin shqiptarët e njohin vetëm si polici terrori. Fevziu thotë se asnjëherë nuk u identifikua ndonjë furgon i bardhë, asnjëherë nuk u vërtetuan studentë të marrë peng, duke nënvizuar faktin se gjithçka ishte fryt i paranojës.

Mero Baze në librin e tij “Viti ’97” sjell intervistën e kryer me një ish-efektiv të SHIK-ut në Vlorë, intervistë që flet për sulmet që iu bënë këtij institucioni, dëshmon akoma më qartë këtë paranojë, Kadri Rrapi[2] në intervistë thotë “…të gjendur në errësirë ata kontrollonin zyrat me rrallë dhe kur dilnin e merrnin njëri-tjetrin për të SHIK-ut dhe ndodhte që përplaseshin mes tyre… nga të tilla përplasje pati dhe të plagosur…”. Rrapi flet dhe për fjalët e përhapura se SHIK-u me urdhër të Tiranës, do t’i nxirrte forcërisht studentët nga greva duke ndërhyrë në Universitet. Ai thotë se ishin aq pak efektivë në Vlorë saqë “…jo studentët që nuk i nxirrnim dot, por as deri tek ata nuk arrinim edhe sikur të kishin qoftë dhe vetëm dy roje…”.

Miti i Sigurimit pra kishte pllakosur në të gjithë ata njerëz që morën pjesë në ngjarjet e atyre ditëve. Frrok Çupi përcjell një ngjarje tjetër, dinamika e së cilës tregon akoma më shumë delirin e turmës si pasojë e këtij miti. Në librin “Vlora ’97” Çupi tregon se turma kishte “zënë gjallë” dy efektivë të SHIK-ut.

“…Djemtë kanë kapur dy burra dhe thërrasin: Janë spiunë, janë spiunë. Janë të SHIK-ut…”[3] Neveria e llahtarshme e shprehur ndaj efektivëve dëshmon veçse besimin që ata kanë pasur tek miti i këtij institucioni.

Kjo është panorama e qartë e atyre ngjarjeve të cilat u dominuan nga instinktet e frikës dhe veprimet që rrodhën si pasojë e këtyre instinkteve lidheshin me besimin se Shteti kishte ende të njëjtën agjenturë, të njëjtën polici sekrete dhe të njëjtin potencial ndëshkueshmërie si ai i regjimit të Hoxhës. Pra ende besohej miti i Sigurimit.

[1]Blendi Fevziu – 100 Vjet fq.286

[2]Mero Baze – Viti ’97 fq.361-369

[3]Frrok Çupi – Vlora ’97 fq.64

Lini një Përgjigje