Në këtë shkrim
Marrëdhënia mes medias dhe politikës
Media dhe politika janë dy pushtete, të cilat kanë funksionet e tyre, qëllimet e tyre, si dhe mënyrat e tyre për t’i arritur ato. Duke qenë se kemi të bëjmë me pushtete dhe që në njëfarë mënyre rrugët që herë-herë i kanë të përbashkëta, lind natyrshëm konflikti për pushtet të vetëm, për centralizim, për një pushtet absolut, ideja e njëfarë monopoli. Politika është ajo që nuk gjen kurrë paqe, ajo është uzurpuesja e drejtësisë, ekonomisë, uzurpuesja e medias.
Censura, kontrolli i informacionit, shantazhi dhe praktika të tjera si këto, e deri tek kërcënimi më i lartë, ai me vdekje, është ajo çfarë ka marrë media nga politika. Para pak vitesh kishim rastin e Anna Politkovskajas dhe të luftës së saj për një gazetari të lirë e për respektimin e të drejtave të njeriut. E shoh vrasjen e saj si simbol të censurës më të skajshme dhe të presionit politik mbi gazetarinë në Rusi.
Shtrohen natyrshëm pyetjet: A është media vërtet e lirë? Një pushtet i katërt? A mos vallë ajo tashmë është e kontrolluar?
A mos vallë ajo ka qenë që kohë më parë e kontrolluar?
WikiLeaks dhe publikimi i dokumenteve
Këtyre pyetjeve, këto ditët e fundit, i është përgjigjur dikush dhe shumë fort madje. Ai quhet Julian Assange, i cili së bashku me ekipin e tij të përbërë prej gazetarësh, aktivistësh, disidentësh, shkencëtarësh si dhe hacker-ash po gjunjëzojnë politikën më kryelartë dhe më të fuqishme që ka parë bota, politikën Amerikane. Quhet Wiki-Leaks, nga vetë fjala leaks-rrjedhje, nënkuptohet dalje informacioni.
Organizata duket se ka qëlluar në shenjë, ka përdorur informacionin, dhe informacionin më objektiv të mundshëm, atë sekret, atë të diplomacisë, pra atë të politikës. Ka përdorur informacionin si dukuri më të natyrshme, më të kuptueshme për publikun, gjë që nënkupton një dukuri të vështirë për t’u arritur, sepse supozohet të jenë mbledhur një numër i konsiderueshëm të dhënash dhe mbi të gjitha faktesh.
Dy fjalë për WikiLeaks: Organizata është ndërkombëtare, merret me grumbullimin e të dhënave kryesisht anonime, (pra ruhet informatori) në sajë të një “drop box-i” (hapësirë shpëtimi të dhënash) të mbrojtur nga një sistem i fuqishëm skriptimi (dmth një kodi mbrojtjeje për shkrimin në tërësi, pra “shkrim i fshehtë”, sekret). Organizata u krijua në vitin 2006; ajo proklamon se ua verifikon vërtetësinë informacioneve të grumbulluara dhe më pas i publikon këto informacione në website-in WikiLeaks. Qëllimi është të arrihet transparenca nga politika, shtetet duhet të garantojnë një etikë, një drejtësi dhe barazi më të pastër e kështu një demokraci më të fortë.
Në fakt, për sa i takon publikimit, WikiLeaks ka publikuar dokumentin, faktin e tij të parë, në dhjetor të 2006-ës, bëhet fjalë për një komplot, konspiracion për të eliminuar figurat e shtetit Somalez, dhe si organizator në të citohej emri i shijikut Hassan Dahir Aweys. Stafi më pas pretendon se për publikim, janë duke u bërë gati edhe mbi 1 milion dokumente të rëndësisë së veçantë, pra sekrete.
Në vitin 2007, drejtimi i kampit Guanta’namo si dhe njohja e publikut me këtë fakt, është një tjetër meritë e WikiLeaks. Më 5 prill 2010, WikiLeaks bën bujë duke publikuar videon e një sulmi ushtarak të vitit 2007 në Bagdad, Irak, ku u vranë dy punonjës të Reuters dhe u plagosën dy fëmijë. Sipas njoftimit të WikiLeaks të 5 prillit 2010, hetimi i ushtrisë amerikane kishte arritur në përfundimin se ushtarët kishin vepruar sipas ligjit të konfliktit të armatosur dhe rregullave të angazhimit. Këtë qëndrim e lexoj si përpjekje për të shmangur vëmendjen publike nga ky rast.
Në korrik 2010 WikiLeaks bën partnere në kauzën e saj, të përditshmet New York Times, The Guardian dhe Der Spiegel, për të rritur impaktin dhe për t’u afruar më shumë me audiencën mbarë-Botërore.
Në orën 22:30 të 28 nëntorit 2010, WikiLeaks, trondit Botën, ajo publikon sasinë më të jashtëzakonshme të dokumenteve sekrete për diplomacinë perëndimore (kryesisht diplomacisë Amerikane), që ka parë ndonjëherë njerëzimi. Fokusi kryesor është operimi i Shteteve të Bashkuara, i politikës amerikane në tërësi. Në dosjet përfshihen opinione dhe raporte mbi sjelljet publike si dhe jo-publike të kryetarëve të shteteve të Evropës.
Në dosje përfshihen raportet SHBA-Botë Lindore dhe pozicioni me aleatët (përfshirë Arabinë Saudite, aleate e SHBA-ve).
Reagimet dhe liria e medias
Ja ku Media nxori dhëmbët, deri tani po duket qartë, ajo e frikësoi, media e shkundi politikën, kjo duket nga reagimet ndaj këtyre publikimeve. Veçmas, në një procedim penal në Suedi për dyshime për vepra seksuale ndaj dy grave, më 18 nëntor 2010 Gjykata e Stokholmit urdhëroi ndalimin në mungesë të Julian Assange-it. Më 20 Nëntor bëhet e mundur futja e emrit të Assange-it në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë nga Interpol-i. Më 26 nëntor, prokuroria suedeze lëshoi një urdhërarrest europian; ai u refuzua nga autoriteti britanik për mungesë të të dhënave mbi dënimet e mundshme.
Më 29 nëntor 2010, në Australi nisi punën një grup ndërinstitucional për të vlerësuar pasojat e publikimit të kabllogrameve. Më 30 nëntor, Departamenti i Prokurorit të Përgjithshëm ia referoi çështjen Policisë Federale Australiane për të vlerësuar nëse mund të kishte shkelje penale.
Media dhe politika nuk mund të bashkëjetojnë, nga një bashkëjetesë e tyre lind vetëm nënshtrimi dhe tirania, këtë na e ka mësuar historia, Lufta e I dhe Lufta e II Botërore, Lufta e Ftohtë… propaganda, agjitacioni, manipulimi i masave… të gjitha këto ide të një politike për kontrollin e informacionit, kontrollin e masave… masë që na del e kontrollueshme nga media, që sot më shumë se kurrë vërteton që mund të ecë edhe vetë, pa u ndikuar nga politika, dhe që… Po! Media mund të jetë e lirë, e lirë në kuptimin e vërtetë të fjalës!
Shënim saktësimi, 17 tetor 2026. Ky shkrim u botua më 1 dhjetor 2010. U saktësuan themelimi i WikiLeaks në vitin 2006, publikimi më 5 prill 2010 i videos së sulmit të vitit 2007 në Bagdad dhe plagosja e dy fëmijëve. U ndanë kronologjikisht procedimi suedez nga publikimi i kabllogrameve më 28 nëntor. Data 20 nëntor e qarkullimit të njoftimit të INTERPOL-it është ruajtur.
U hoqën pohimet e paverifikuara për kontrabandë armësh në mesin e vitit 2007 dhe për bllokimin e pasaportës. Pasazhi mbi reagimin australian u zëvendësua me veprimet e dokumentuara të 29–30 nëntorit. Nuk u identifikuan burimet e sakta të formulimeve fillestare që i atribuoheshin Pentagonit. Për Bagdadin, përfundimi i hetimit ushtarak tani i atribuohet shprehimisht njoftimit të WikiLeaks. Vlerësimet politike mbi këtë përgjigje dhe mbi vrasjen e Anna Politkovskajas janë interpretime të autorit.
Saktësim retrospektiv për Arabinë Saudite: kabllogrami 09STATE131801, i raportuar publikisht pas 1 dhjetorit 2010, shprehte shqetësimin e Departamentit të Shtetit për financimin e Al-Qaeda-s dhe të grupeve të tjera terroriste nga donatorë në Arabinë Saudite. Ky pohim nuk provon financim nga vetë shteti saudit. Prandaj është hequr atribuimi fillestar ndaj shtetit; ky saktësim i mëvonshëm nuk paraqitet si informacion i verifikuar në datën e botimit.
Për plotësi kronologjike: urdhërarresti europian zëvendësues u lëshua më 2 dhjetor 2010, pas datës së shkrimit. Më 17 dhjetor, Policia Federale Australiane raportoi se vlerësimi i saj nuk kishte identifikuar vepra penale për të cilat Australia kishte juridiksion. Në dëshminë parlamentare të 24 shkurtit 2011 u sqarua se ministri kompetent nuk kishte marrë kërkesë për anulimin e pasaportës. Diskutimi i një mundësie nuk provon se anulimi ndodhi.