Vizualizim arkitekturor i një godine me fasadë xhami, me kulla në sfond.

Kulla e propozuar te Pallati i Kongreseve: një vlerësim prej 20 katesh

Raportim dhe këndvështrimI pavarur

“Komenti është i lirë, por faktet janë të shenjta.” — C. P. Scott, 1921.

RIBOTUAR

Kulla e propozuar te Pallati i Kongreseve: një vlerësim prej 20 katesh

Erblin Vukaj · Botuar fillimisht: 1 dhjetor 2025

Vizualizim arkitekturor i një godine me fasadë xhami, me kulla në sfond.
Ilustrim grafik/Citizens.al
Në këtë shkrim

Truall dhe të drejta zhvillimi për një kullë, e vlerësuar këtu në 20 kate, në “këmbim” të rikonstruksionit të Pallatit të Kongreseve. Ky është modeli që ka zgjedhur qeveria për të financuar ndërhyrjen në një objekt që mban statusin Monument Kulture, kategoria II-të.

Rasti përforcon serinë e gjatë të projekteve të ngjashme ku interesi publik zbehet në sfond të zhvillimeve intensive, të cilat favorizojnë interesat tregtare të ndërtuesve privatë në Tiranë.

Thirrja e Korporatës

Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) hapi më 27 nëntor thirrjen “duo, projektim dhe ofertë për investim” për projektin “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”, e cila do të presë propozime deri më 26 janar 2026. Thirrja parashikon rikonceptimin e hapësirave të brendshme e të jashtme dhe ndërtimin e një kulle me funksione të kombinuara: hoteleri, shërbime, qendër tregtare, banim.

Partneri privat përfiton mundësinë e zhvillimit të 4,760 m² truall publik rreth Pallatit dhe të drejtën për të ngritur deri në 50,000 m² sipërfaqe ndërtimi mbi tokë. Duke përdorur një koeficient tipik të shfrytëzimit të truallit prej 30–50%, ky shkrim vlerëson një ndërtesë deri në 20 kate; parametrat e cituar përcaktojnë kufij të sipërfaqes së ndërtimit.

Sipas planimetrisë së zonës, vendndodhja e mundshme është lulishtja pas objektit, pranë rrethrrotullimit të rrugës “Papa Gjon Pali II”. Procesi i transferimit të këtij trualli, që sot shërben si park, nisi me miratimin e Këshillit Bashkiak në korrik, pasuar nga vendimet e qeverisë për kalimin e përgjegjësisë së administrimit te ministria në korrik dhe të pronësisë te KISH në shtator.

Projektuesve u jepet liri të ndërtojnë parking të përbashkët për godinën ekzistuese dhe kullën, ndërsa kushti i vetëm për Pallatin është “ruajtja e elementëve arkitektonikë origjinalë, pa tjetërsuar volumin ekzistues”.

Ndërhyrjet e kërkuara që në janar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila e administron Pallatin e Kongreseve, përfshijnë mjedise pune për Drejtorinë, ambiente zyrash, konferencash dhe hapësira multifunksionale për evente artistike dhe kulturore.

Thirrja e KISH-së përmend dy ndërhyrje të pjesshme restaurimi brenda dhjetë vitesh, për vizitën e Papa Françeskut në vitin 2014 dhe për atë që dokumenti e quan “Samiti i Berlinit 2024”. Megjithatë, ajo argumenton se këto punime nuk mjaftojnë për ta sjellë godinën në standarde bashkëkohore.

Institucioni e justifikon ndërhyrjen me raportet e Institutit të Ndërtimit, që evidentojnë probleme me vërshimin e ujërave në katet nëntokë, ajrin e kondicionuar, hidrosanitaret dhe impiantet teknike.

Proces i mjegullt, vendimmarrje pa transparencë

Sinjalet për një kullë të re u dhanë që më 24 korrik, kur Këshilli Bashkiak miratoi kalimin e lulishtes 2,261 m² pas Pallatit të Kongreseve për projektin e KISH-së – thuajse gjysma e totalit të truallit që sot po ofrohet për zhvillim privat.

Në debatet e asaj seance, shumica socialiste pranoi se nuk kishte asnjë informacion teknik për propozimin. Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, deklaroi se nuk e dinte nëse do të ndërtohej ndonjë kullë, nëse do të ndodhnin rikonceptime apo dhe vetë shembje e mundshme e Pallatit të Kongreseve. Megjithatë, vota e kolegëve të saj u dha.

Sikurse raportoi asokohe Citizens.al, thirrja e parë e KISH, publikuar më 1 prill si “Rikonstruksion i Pallatit të Kongreseve”, ishte tërësisht boshe: pa relacione, pa vlerësime, pa planimetri. Kjo qasje ushqeu dyshimet e opozitës se procesi synonte t’i ofronte privatëve truall publik nën idenë e mjegullt të “rikonstruksionit”.

Kështu, kalimi i lulishtes u bë me procedurë të shpejtuar, pa transparencë mbi planet e ndërtimit, pa konsultim publik dhe pa garanci për ruajtjen e hapësirës së gjelbër. Thirrja e KISH e konfirmon hapur modelin e zgjedhur: përmbushjen e interesit privat përpara interesit qytetar, edhe në objekte me vlerë arkitektonike dhe historike për Tiranën.

Qeveria duket se nuk gjen dot para as për rikonstruksionin e një ndërtese historike si “Pallati i Kongreseve”, buxheti për të cilin mund të përballohej lehtësisht pa qenë nevoja të jepet në këmbim asgjë.

Por kjo nuk është hera e parë që qeveria aplikon të njëjtën formulë.

Rastet e ndjekura dhe kritikuara vazhdimisht nga Citizens.al me Stadiumin “Selman Stermasi”; Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, “Bibliotekën Kombëtare“, ish-Agjencinë Telegrafike Shqiptare etj – e theksojnë edhe më tej këtë gjë.

* Saktësim redaksional, 9 tetor 2026: Parametrat e cituar të thirrjes përcaktojnë kufij të sipërfaqes së ndërtimit; 20 katet mbeten vlerësim i këtij shkrimi. Kronologjia e transferimit të truallit dallon vendimin e 31 korrikut 2025 për kalimin e përgjegjësisë së administrimit të pasurisë 7/74 te ministria nga vendimi i 10 shtatorit 2025 për kalimin në pronësi të KISH-së të së njëjtës pasuri prej 2,261 m².

Si kontekst i mëvonshëm, Buletini i Agjencisë së Prokurimit Publik i 9 dhjetorit 2025 përcakton një kriter bazë të ofertës financiare prej 45% për KISH-në, të llogaritur mbi sipërfaqen totale të zhvillimit të objektit multifunksional. Ky detaj i dokumentuar është i mëvonshëm se shkrimi origjinal i 1 dhjetorit 2025 dhe prandaj paraqitet këtu si kontekst i mëvonshëm.

Formulimi “Samiti i Berlinit 2024” i atribuohet dokumentit të kualifikimit të KISH-së. Njoftimi i qeverisë për ngjarjen e daton samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë më 16 tetor 2023, te Piramida; ky njoftim, në vetvete, nuk përcakton se kur janë kryer punimet në Pallatin e Kongreseve.

Botuar fillimisht te Citizens.al, më 1 dhjetor 2025.

Autor: Erblin Vukaj.