“Komenti është i lirë, por faktet janë të shenjta.” — C. P. Scott, 1921.
Projektligji për mbetjet: Mes transparencës së kufizuar dhe rrezikut për interesa private
Erblin Vukaj · Botuar fillimisht: 5 nëntor 2025

Projektligji për “Përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve” synon të përafrojë Shqipërinë me standardet evropiane për menaxhimin e mbetjeve, por një analizë e organizatave të shoqërisë civile ka ngritur dyshime mbi transparencën dhe përmbajtjen e tij.
Ligji, i cili pritet të përcaktojë mënyrën se sa dhe si bizneset do të paguajnë për ndotjen që shkaktojnë, thuhet se përmban boshllëqe ligjore dhe kontradikta që mund të favorizojnë interesa private.
Ekspertët kërkojnë që Kuvendi ta rishikojë thellësisht draftin për të shmangur rreziqe të korrupsionit dhe pasoja ekonomike për qytetarët.
Një ligj i nevojshëm, por i paqartë
Projektligji për “Përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje” u prezantua në fillim të këtij viti si hap drejt ekonomisë qarkulluese dhe përafrimit me direktivat evropiane.
Por një analizë e përpiluar nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) dhe Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS), ka nxjerrë në pah boshllëqe të dukshme në transparencë, paqartësi në formulime dhe mangësi të llogaritjeve financiare, që mund të prekin drejtpërdrejtë qytetarët.
Analiza, e përpiluar me mbështetje nga Fondacioni Westminster për Demokraci, paralajmëron se projektligji në formën aktuale mund të legjitimojë struktura private, pa dhënë garanci publike mbi kostot dhe kontrollin e fondeve.
Projektligji bazohet në direktivën kuadër të BE-së (2008/98/EC), duke synuar që prodhuesit të mbajnë përgjegjësi për mbetjet e produkteve të tyre pas përdorimit. Ai parashikon ngritjen e Shoqërive për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesve (SHPZP) – entitete që do të menaxhojnë financimet dhe organizimin e mbledhjes, riciklimit e trajtimit të mbetjeve.

Por ndërsa në shtetet e BE-së këto struktura janë të rregulluara si entitete jofitimprurëse, drafti shqiptar i trajton si shoqëri tregtare, duke hapur rrugë për përfitime ekonomike nga një mekanizëm që duhej të funksiononte sipas parimit “ndotësi paguan”.
Gjatë prezantimit të opinionit alternativ, zhvilluar në Tiranë më 29 tetor, me praninë e deputetëve të komisioneve parlamentare për mjedisin dhe ekonominë, eksperti ligjor Viktor Gumi, evidentoi disa pika kritike.
Kështu, sipas analizës së kryer nga ACER, AIS dhe grupet e organizatave të tjera të thirrura prej tyre, projektligji u shoqërua me transparencë të kufizuar në hartimin dhe konsultimin e tij.
Ai u publikua për konsultim vetëm për 40 ditë dhe mori vetëm katër komente, ndonëse ndikon drejtpërdrejt te bizneset, konsumatorët dhe bashkitë, teksa këto të fundit duket se nuk janë konsultuar, duke shkelur kështu ligjin për vetëqeverisjen vendore.
Drafti paraprak ka paqartësi në terminologji dhe referenca ligjore. Teksti rezulton t’i referohet ligjeve tashmë të shfuqizuara dhe përdor terma të papërcaktuar si “trajtim”, “përpunim” apo “rryma të mbetjeve”, duke rritur rrezikun e interpretimit të gjerë administrativ.
Grupi i ekspertëve të organizatave joqeveritare të përfshira në analizën e ACER dhe AIS ka konstatuar kontradiktë mes interesit publik dhe privat.
Konkretisht, problemi shihet te SHPZP-të, të cilat janë parashikuar si shoqëri fitimprurëse, ndonëse dokumenti shoqërues (RIA) i përcakton si organizata që nuk duhet të gjenerojnë fitime.
Kjo mospërputhje krijon rrezik për keqpërdorim të mundshëm të fondeve që do të mblidhen në emër të mbrojtjes së mjedisit.
Përveç këtyre problematikave, projektligji duket se lë vend për rreziqe në procedurat inspektuese. Neni 23 parashikon që zbatimi i ligjit të kontrollohet nga disa struktura të ndryshme inspektimi, duke shtuar kështu mundësinë për korrupsion.

Fatura e riciklimit bie mbi konsumatorin
Ligji parashikon që prodhuesit të paguajnë kontribute financiare te SHPZP-të për mbledhjen e mbetjeve, kosto që pritet të reflektohen në rritjen e çmimeve për konsumatorët.
Ndërkohë, bizneset që tashmë paguajnë taksa për ambalazhe plastike dhe qelqi do të përjashtohen nga kontributi i ri – pa ndonjë mekanizëm kompensimi apo transparencë mbi shumat ekzistuese që derdhen në buxhet.
Në analizën e RIA-s, vetë qeveria pranon se konsumatorët “mund të përballen me çmime më të larta për produktet”, ndërsa familjet me të ardhura të ulëta mund të kenë vështirësi në përballimin e kostove të reja të menaxhimit të mbetjeve.
Megjithatë, projektligji nuk përmban asnjë llogaritje të ndikimit financiar, një boshllëk që ekspertët e grupit të ACER dhe AIS konsiderojnë shkelje të parimit të sigurisë juridike.
Në tryezën e mbajtur për diskutime, deputetët e pranishëm si Zamira Sinaj, Klodiana Çapja, Gjin Gjoni, Redi Muçi, pranuan se projektligji ishte kaluar pa një konsultim të gjerë dhe ftuan ekspertët dhe organizatat joqeveritare që t’i shprehnin gjetjet e tyre edhe pranë Kuvendit.
Ndërkohë, Gjergj Buxhuku nga Konfindustria, shprehu rezerva për punën e deritanishme duke kritikuar prirjen e hartimit të ligjeve pa aktet nënligjore.
Drafti ngarkon qeverinë që “brenda 2 viteve të nxjerrë aktet nënligjore”, ndërkohë që në fund të tij thotë se “hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare” dhe “efektet i fillon pas datës 1 qershor”.
Buxhuku tha se në këtë mënyrë bëhen ligje të pazbatueshme dhe për këtë u kërkoi deputetëve të jenë më qytetarë në lidhje me këtë ligj larg lobimeve dhe ndasive politike.
Opinioni vlerësues i hartuar nga ACER dhe AIS propozon që të organizohen seanca dëgjimore me bashkitë dhe bizneset e prekura, teksa draftit t’i përmirësohet gjuha ligjore dhe efektet financiare për konsumatorin dhe buxhetin e shtetit të jenë të llogaritura qartë.
Ligji për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve shihet si hap i domosdoshëm për zbatimin e standardeve mjedisore të BE-së, por sipas ACER dhe AIS, në formën aktuale mbart rreziqe serioze për abuzime.