“Komenti është i lirë, por faktet janë të shenjta.” — C. P. Scott, 1921.
Ish-Blloku me qarkullim të kufizuar, nisin punimet për ta kthyer zonë pedonale
Erblin Vukaj · Botuar fillimisht: 26 shtator 2025

Kryqëzimet e një prej rrugëve më kryesore të ish-Bllokut u bllokuan të premten për t’i hapur vend punimeve të projektit rehabilitues të Bashkisë Tiranë, i cili parashikon kthimin e saj në një zonë me qarkullim të kufizuar.1
Rruga “Vaso Pasha” u bllokua paradite nga kryqëzimi me rrugën “Brigada e VIII” e deri te kryqëzimi i rrugës “Ismail Qemali”. Bashkë me to u mbyllën dhe rrugët dytësore si për shembull rruga “Pjetër Bogdani”.
Punimet nisën pa një njoftim të qartë publik dhe pritet të zgjasin për së paku 6 muaj. Qytetarët dhe bizneset lokale u përballën me trafik të rënduar dhe detyrimin për të larguar makinat, në disa prej të cilat ishin vendosur fletushka ku lajmërohej ngritja e kantierit.
Në zonë ndodhen dhjetëra zyra, lokale, ambiente banimi dhe Kopshti Nr.31 që mbështeten në qarkullimin e përditshëm nga ky aks.

Çfarë parashikon projekti?
Punimet po kryhen nga kompanitë Ndregjoni shpk dhe Rafin Company, fituese të tenderit publik që u hap në qershor.
Ai u fitua me një vlerë prej rreth 2 milionë euro në një garë ku pati 18 oferta, nga të cilat 11 u skualifikuan për mungesë dokumentacioni, mospërmbushje kritieresh apo dhe oferta “anomalisht të ulëta”. Procesi nuk u apelua nga konkurrentët, megjithëse skualifikimi i shumicës së tyre ngre pikëpyetje.
Projekti zotohet të ketë këmbësorët në qendër dhe për këtë parashikon heqjen e korsive të parkimit, zgjerimin e trotuareve dhe ngushtimin e rrugëve, të cilat do të shtrohen me asfalt të rashinuar me ngjyrë të kuqe ose gri.
Ai merr elementët e përdorur nga rehabilitimi i “Bulevardit Zogi I-rë” apo dhe “Sheshi Skënderbej” dhe i ripërdor ato për të vijuar të njëjtën ide qarkullimi me hapësira kushtuar këmbësorëve.

Ish-Blloku, zonë në ngjeshje ekstreme urbane
Zona e ish-Bllokut ka përjetuar një valë të re ndërtimesh me kulla 8 deri në 14 kate. Siç ka dokumentuar më herët Citizens.al në rubrikën Tirana Vertikale, kjo zonë po humbet hapësirat publike dhe po kthehet në një “fjetore vertikale”.
Ndërhyrjet e fundit e bëjnë edhe më të vështirë lëvizjen, sidomos për banorët dhe bizneset ekzistuese.
Pavarësisht kësaj, autoritetet po ndjekin një plan për transformimin e saj në një shesh me qarkullim të kufizuar dhe trotuare të zgjeruara.
Ideja është promovuar nga vetë Kryeministri Edi Rama në dalje të ndryshme televizive deri sa u publikua në shkurt 2025 në një event që u mbajt në mjediset e ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha.
Ndërsa ndërtimi i kullave shtohet me ritme të vrullshme, projektet për rrugë e trotuare mbeten të izoluara dhe të paqarta.
Nuk ka një plan të integruar për qarkullim, transport publik apo qasje për banorët. Rrallë herë ata informohen apo përfshihen në vendimmarrje për ndryshimet urbane që i prekin drejtpërdrejt.
Kështu, zhvillimi në ish-Bllok po ecën në dy kahje: ndërtim intensiv dhe “përmirësime” të izoluara që nuk i përgjigjen dendësisë së re.
- Përditësim! Pas ankesave nga sipërmarrës, autoritete financiare dhe banorë të zonës kantieri u tërhoq të shtunën duke liruar tërësisht qarkullimin. Sipas një videokomenti në Facebook nga deputeti Erion Braçe, bllokimi i rrugëve ishte “i nxituar” dhe “pa lajmërim”. Ai tha se kishte pasur kontakte me Bashkinë Tiranë për të gjetur një mënyrë apo plan punimesh me impakt më të ulët për banorët duke shtuar se për këtë projekti po rishikohet. ↩︎
* Ky shkrim është rishikuar dhe saktësuar më 8 tetor 2026.