“Komenti është i lirë, por faktet janë të shenjta.” — C. P. Scott, 1921.
“Paratë e pista po deformojnë shoqërinë shqiptare”
Erblin Vukaj · Botuar fillimisht: 21 korrik 2025

Paraja e paligjshme dhe ekonomia
Në një intervistë për dokumentarin investigativ “Pa rregulla, pa kufij”, eksperti i ekonomisë Vehap Kola hedh dritë mbi ndikimin e thellë dhe shpesh të padukshëm që ka paraja e pisët në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Sipas Kolës, pavarësisht strategjive dhe ligjeve të miratuara, pastrimi i parave mbetet një kërcënim i madh për ekonominë e vendit. Ai vëren se gati gjysma e ekonomisë është informale, me një pjesë të konsiderueshme të kësaj që ushqehet nga fondet me origjinë kriminale.
“Ekonomia gri po toleron një ndikim të fortë nga paraja e paligjshme. Sektori i ndërtimit, turizmit dhe tregtisë janë veçanërisht të ekspozuar. Pasojat janë të rënda jo vetëm për tregun, por edhe për strukturën morale të shoqërisë,” thotë ai.
Kola denoncon mënyrën si konkurrenca në treg po përmbyset përmes kapitalit të paligjshëm që lejon disa aktorë të dominojnë sektorë të tërë duke përjashtuar bizneset e ndershme. Ai paralajmëron për pasojat e krijimit të monopoleve dhe zhdukjes së mundësive për sukses të ndershëm.
“Shkatërrimi i vlerave është po aq i dëmshëm sa ai i tregut. Kur suksesi lidhet me kompromisin moral, kur rruga më e shkurtër drejt pasurisë është bashkëpunimi me krimin, atëherë shoqëria kthehet në një sistem të deformuar,” thekson Kola.
Politika, drejtësia dhe shoqëria civile
Një pjesë e rëndësishme e intervistës ndalet te ndërtimi, sektor që është bërë simbol i pastrimit të parave në Shqipëri. Por sipas Kolës, ai është vetëm maja e ajsbergut:
“Pastrimi më i madh i parave ndodh në partitë politike. Kur ato janë të kapura, çdo sektor tjetër pasqyron të njëjtin model.”
Në vlerësimin e rolit të drejtësisë dhe shoqërisë civile, Kola shprehet skeptik për efektivitetin aktual, duke theksuar se “media, drejtësia dhe shoqëria civile shpesh janë në orbitën e partive politike”.
Ai bën thirrje për veprime konkrete dhe të pavarura nga këto struktura të komprometuara.
Ndërsa për presionin ndërkombëtar, ai është i mendimit se është i dobishëm për sa i përket imazhit publik, por jo gjithmonë efektiv në ndryshime rrënjësore. Sipas tij, “ndryshimet reale vijnë vetëm kur ka presion të brendshëm dhe kur kostoja për përfshirjen në aktivitete kriminale bëhet shumë e lartë”.
Në fund, Vehap Kola sheh rrezikun që Shqipëria të rrëshqasë drejt një realiteti të ngjashëm me vendet e Amerikës Latine. Ai bën thirrje për reflektim dhe veprim: “Nëse nuk tregojmë historitë e atyre që po e pësojnë, atëherë ky realitet do normalizohet.”