“Komenti është i lirë, por faktet janë të shenjta.” — C. P. Scott, 1921.
“Ministria e Tymit dhe Ndotjes”: Aktivistët fajësojnë qeverinë për zjarret në landfille
Erblin Vukaj · Botuar fillimisht: 3 korrik 2025

Në këtë shkrim
Aktivistë dhe qytetarë të shqetësuar nga ndotja e mjedisit dhe rastet e zjarreve në vendgrumbullimet e mbeturinave në Elbasan dhe Vlorë reaguan sot para ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Të thirrur nga organizata “Qëndresa Qytetare” ata kërkuan përgjegjësi dhe reagim nga institucionet, teksa në mënyrë simbolike i ndryshuan emrin ministrisë në “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”.
Me maska dhe pankarta në duar, aktivistët denoncuan nivelin e lartë të ndotjes që u çlirua pas djegies së vendgrumbullimit të mbeturinave në Elbasan.
Sipas matjeve të Co-PLAN dhe Milieukontakt gjatë zjarrit në landfillin e Elbasanit, dioksidi i azotit (NO₂) arriti deri në 331 µg/m³, vlerë që raporti e krahasoi me kufirin njëorësh të BE-së prej 200 µg/m³. U raportuan edhe 521–794 ppm dioksid karboni dhe 5–8 ppm metan, mbi nivelet e sfondit të përdorura në raport; organizatat e cilësuan situatën shqetësuese për shëndetin publik. Por asnjë institucion nuk lëshoi paralajmërim për qytetarët për masat mbrojtëse.
“Ministria heshti përballë një emergjence të përsëritur dhe të parashikueshme,” tha në një deklaratë që u mbajt para ministrisë nga Migen Qiraxhi, përfaqësues i Qëndresës Qytetare.
Aktivistët theksuan se zjarret në fushat e mbetjeve janë shndërruar në dukuri të zakonshme në Tiranë, Elbasan e Vlorë.
“Ato janë pasojë e dështimit të projektit të inceneratorëve, që ka përpirë miliona euro publike,” vijoi Qiraxhi, “Në Elbasan, inceneratori që ka kushtuar 42 milionë euro, nuk ka parandaluar asnjë zjarr”.
Vetëm këtë vit janë regjistruar të paktën tre djegie masive mbetjesh në të gjithë vendin. Sipas aktivistëve, pamjet e tymit që mbulon zonat turistike si ato të Vlorës, “janë bërë simbol i turpit mjedisor shqiptar.”
Zjarrfikës pa mjete, institucione pa përgjegjësi
Zjarret ekspozuan dhe një tjetër dështim: gjendjen e mjerueshme të zjarrfikësve.
“Katër automjete të viteve ’80 që nuk mund të përballojnë as zjarret e një magazine, janë përdorur për të luftuar flakët e një fushe mbetjesh, e cila përpiu në pak orë të gjithë qytetin e Elbasanit, ndërkohë që ndërhyrja ajrore as u mendua fare si opsion,” theksoi Qëndresa Qytetare në deklaratë.
Aktivistët kujtuan momentet e vështira sa i takon përballjeve me flakët. Pamjet e zjarrfikësve që shuajnë zjarret me shkurre, tregojnë mungesën e investimeve në këtë sektor të rëndësishëm për vendin.
Aktivistët përmendën për vitin 2024 shifrat 1,077 vatra zjarri dhe 43,466 hektarë të dëmtuar nga zjarret, të prezantuara nga drejtori i Mbrojtjes Civile, Haki Çako, në Kuvend në shtator të atij viti. Numri i vatrave ishte pothuajse dyfishi i 544 vatrave të raportuara për vitin 2023. Sipas aktivistëve, kjo situatë kaloi pa asnjë analizë institucionale.
Qëndresa theksoi se ndërsa vendi digjet, institucionet zgjedhin heshtjen dhe mungesën e përgjegjësisë. Për këtë aktivistët kërkuan veprim urgjent nga SPAK dhe prokuroritë për zbardhjen e përgjegjësive.
* Ky shkrim është rishikuar dhe saktësuar më 8 tetor 2026.