Këshilla për hiking! Ç’të bësh kur ke humbur?

Në këtë shkrim

Përvoja e humbjes së shtegut

Një nga shqetësimet më kryesore për fillestarët e shtegtimeve (#hiking) – madje edhe për prindërit – është rreziku se mos duke u endur nëpër natyrë të mund të humbasësh. Në terrenin malor mund të mungojë mbulimi celular, duke penguar telefonatat dhe internetin. Kjo nuk do të thotë se GPS-i i telefonit është jashtë funksionit.

Në të tilla rrethana dita të kalon shumë më shpejt se sa e mendon. Frika nga errësira në një ndjesi humbjeje është makthi i maktheve për cilindo që është fillestar në shtegtime dhe shumëfish makth për prindërit që nëse e marrin vesh këtë gjë u bëhet gjaku ujë.

Personalisht më ka qëlluar dy herë të humbas rrugën dhe një herë tjetër të më zërë nata teksa shtegtonim po të humbur. Fillimisht na ndodhi kur po ngjisnim malin e Gamtit – jo nga pjesa e shkëmbinjve, por nga shtegu i gjatë që kalon te labirinti i shkurreve dhe tre qafat e malit. Në fillim më zuri frika.

Por prej faktit se isha me një grup të madh miqsh dhe shtegtarësh, u qetësova fill. Humbja u kthye në qejf – ndonjëherë edhe ke qejf të humbësh! – dhe nuk zgjati më shumë se çerek ore.

Hera tjetër na ndodhi në kthim nga Bukaniku. Ngatërruam shteg dhe i ramë aq gjatë, saqë nata na i mpiu sytë dhe kur pas nja dy orësh ecje – përtej programit – kur dolëm në rrugë, ishte sikurse çantat të mos na peshonin më, aq ndjesi gëzimi pata.

E di… duket ca si fëmijërore… por të tilla ndjesi t’i ngjall natyra, pasi përballë saj gjithmonë ndihesh i vogël.

Përgatitja dhe orientimi në shteg

Por çfarë duhet të kemi parasysh në rast se humbasim? Ja disa gjëra që duhet t’i mbash mend:

Fillimisht më kryesorja e kryesoreve, mos merr përsipër udhëtime vetëm! Minimalisht duhet të jesh me një ose dy persona të tjerë. Pavarësisht mendimeve të ndryshme, shprehjen “delen që del nga tufa e ha ujku” e gjej fiks me vend në këtë pikë.*

Më tej kujdesu që në çantën tënde të kesh me vete, një elektrik dore, një paketë të ndihmës së shpejtë, një bateri – power-bank – për karikim celulari dhe medoemos edhe një bilbil. Nëse humbet, mos prit 12 orë për ta marrë seriozisht situatën ose për të kërkuar ndihmë. Elektriku do të të ndriçojë rrugën, paketa e ndihmës së shpejtë do të të jetë për ndihmë nëse je lënduar, bateria do të ta rikarikojë celularin dhe bilbili do të të shërbejë për sinjalizues nëse janë duke të të kërkuar.

Sapo të kuptosh se ke humbur shtegun, ndalu në një vend të sigurt. Pusho, pi pak ujë dhe përpiqu të qetësohesh.

Armiku kryesor në këto raste është paniku!

Teksa përpiqesh të qetësohesh, mundohu të kalosh nëpër mend se nga erdhe, si ishte rruga kur ti kalove dhe kush ishte ndonjë shenjë identifikuese e shtegut. Kthehu nëpër gjurmët e tua vetëm nëse e njeh rrugën dhe mund ta bësh këtë në mënyrë të sigurt.

Nëse nuk e gjen dot në mënyrë të sigurt rrugën e kthimit, kërko ndihmë. Jep vendndodhjen, ose pikën e fundit që njeh, dhe përshkruaj gjendjen e grupit.

Pasi të kesh kërkuar ndihmë, qëndro në vendin e raportuar, përveçse nëse ka rrezik të menjëhershëm. Ndiq udhëzimet e ekipit të shpëtimit dhe mbaje grupin bashkë.

Përdor hartën, busullën dhe shenjat e terrenit për t’u orientuar. Mos provo shtigje të panjohura vetëm sepse është ende ditë. Nëse nuk mund të kthehesh në mënyrë të sigurt, qëndro në një vend të mbrojtur dhe sinjalizo për ndihmë.

Celulari mund të ndihmojë: provo të telefonosh për ndihmë, por ruaj baterinë. GPS-i mund të përcaktojë vendndodhjen edhe pa mbulim celular, ndërsa hartat duhen shkarkuar për përdorim pa internet përpara nisjes.

Pengesat e terrenit ose pritja e dobët e sinjalit satelitor mund ta ulin saktësinë; pika në ekran nuk garanton një rrugë të sigurt. Mbaj edhe hartë e busull dhe mëso t’i përdorësh.

Aventura janë edhe këto raste dhe jua siguroj që janë pjesët që mbahen mend më së shumti nga shtegtimet, kështu që mos u dekurajoni!


*Më kujtohen nja dy filma “Into the Wild (2007)” dhe “127 Hours (2010)” ku përjetohen situata tejet të vështira gjatë shtegtimeve vetëm. Nëse s’i keni parë, jua sugjeroj!

* Ky shkrim është rishikuar dhe saktësuar më 8 tetor 2026.

Lini një Përgjigje