Në këtë shkrim
Përmbytjet e fillim-dhjetorit i ndërgjegjësuan qytetarët që të ishin më të shumtë përpara Kryeministrisë në protestën e radhës për Valbonën.
Që prej verës së vitit 2016-të, qytetarë, aktivistë të shoqatave ambientaliste, por edhe guida turistike, kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve brenda parkut kombëtar të Luginës së Valbonës. Protestat kanë qenë të vazhdueshme, ndërsa pak javë më parë Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën e banorëve dhe shoqatës “Toka” për të ndaluar punimet.
Ndërtimet në park konsiderohen masakër ndaj ekosistemit, vlerave dhe investimeve turistike të bëra kryesisht nga banorët.
Ende pa transparencë të plotë, sidomos për studimet mjedisore me të cilat janë marrë lejet e ndërtimit të hidrocentraleve, protestat mbeten përgjigjja e vetme qytetare ndaj gjendjes së shurdhët që mbajnë institucionet dhe shtetarët.
Opinioni publik ka mbajtur vazhdimisht qëndrim kundër politikave pro ndërhyrjeve në parqe si ai i Valbonës. Por nga shtetarët nuk ka pasur reflektim dhe shembulli paralel me planifikimet e hidrocentraleve edhe në Vjosë, apo Osum tregon se situata është dëshpëruese.
“Njerëzit kanë ndjesinë se këtu gjërat nuk ndryshojnë pavarësisht protestave, prandaj mbetemi të paktë në shesh sepse njerëzit hezitojnë” – po më thoshte gjatë protestës Edmond Kocli, guidë turistike, ndërsa më tregoi se si në vendin e tij të origjinës nuk ishte mundur të ndalohej ndërtimi i një hidrocentrali, që merr një degë të lumit Fan dhe që gjatë verës lë gjithë banorët e zonës pa ujë.
Çështja e Valbonës është pasqyrë e qartë e trajtimit që Shteti Shqiptar i ka bërë ndër vite çështjeve mjedisore. Zjarret masive, shpyllëzimet, parqet djerrë, pa kafshë, guroret pa kritere, zhavorrnxjerrësit e lirë ndër lumenj, vendshkarkimet në natyrë të mbetjeve industriale e urbane, inceneratorët, termocentralet dhe së fundmi hidrocentralet.
Përgjithësisht politika zgjedh t’i kalojë këto çështje në heshtje, duke diktuar edhe agjendën mediatike e për rrjedhojë rëndësinë, ose jo, të asaj çka duhet të përbëjë interes publik.
Gjithmonë masakrat mjedisore anashkalohen dhe mediatikisht trajtohen përciptazi. Të protestosh duke bërtitur “Mos ma prek Valbonën!” nënkupton që kjo gjë s’duhet të ndodhë më!
Sigurisht protesta e radhës nuk e zgjidhi problemin, por sensibilizoi disi më tepër qytetarët se nëse nuk reagohet për çështjet e mjedisit, atëherë përmbytjet, apo fenomenet shkatërrimtare të natyrës nuk do të parandalohen kurrë.
Qeveri të ndryshme, politikë e njëjtë!
Gjatë mandatit të dytë, Qeveria Berisha shpalosi projektin “Shqipëria super-fuqi energjitike” duke nxjerrë si projekte strategjike ndërtimin e më shumë se 300 hidrocentraleve.
Projektet nuk u bënë asnjëherë transparente dhe në konsultim me banorët e zonave, ndërsa disa kontrata, sikurse ato të hidrocentraleve në Valbonë, u firmosën në fund të mandatit, edhe pse studimet mjedisore që u morën për bazë nxitën mjaft debate kur gjithçka u bë publike.
Qeveria Rama, edhe pse qe zotuar se do të kishte një qasje ndryshe, nuk ndryshoi shumë nga Qeveria Berisha. Sipas raportit të shtatorit 2015 për projektet hidroenergjetike në lumenjtë e Ballkanit, në Shqipëri ishin planifikuar 313 hidrocentrale dhe 24 të tjera ishin në ndërtim.
Kur projektet e ndërtimit të 11 hidrocentraleve në vetëm 25 kilometra distancë në Tropojë u bënë publike, qytetarët reaguan duke nxitur protesta.
Vjeshtën e vitit 2016-të, pasi ishin kryer disa protesta radhazi, Kryeministri Edi Rama tha në foltoren e Parlamentit se në Valbonë nuk do të ndërtoheshin 11 hidrocentrale, sikurse qe parashikuar nga Qeveria e kaluar, por “vetëm” dy, të cilët ai i justifikoi si të “pa-anulueshëm” me argumentin se nëse kryhej kjo gjë, do të kishte kosto të lartë ekonomike.
Ndërsa e ktheu në çështje politike – ashtu sikurse bëjnë gjithmonë politikanët në Shqipëri – Kryeministri shtoi se në Valbonë nuk do të ndërtoheshin diga dhe se “peisazhi atje do ishte krejtësisht i pacënueshëm”.
Një vit më pas, fotografitë e shkrepura mbi kantierin e ndërtimit atje, treguan tjetër gjë, ndërsa projekt-idetë për hidrocentrale janë shtuar më tej, duke shkuar në më tepër se 380. 
Synimi është që deri në vitin 2025 të shkohet në 436 hidrocentrale.
Qeveria Rama, njëjtë si ajo Berisha, pa transparencë dhe pa konsultuar banorët, vazhdoi serinë e projekteve. Në shtator 2017-të, u bë publik ndërtimi i një tjetër hidrocentrali në Alpe, më saktësisht në lumin e Shalës, pikërisht pas një viti të bukur turistik ku ky lum qe konsideruar edhe si “Tajlanda shqiptare”.
Nga ndërtues pallatesh, në ndërtues hidrocentralesh
Sipas të dhënave të “Save the Blue Heart of Europe”, Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajon që po projekton kaq shumë hidrocentrale. Serbia me 827 plan-projekte është ajo që parashikon më tepër ndërhyrje në lumenjtë e Ballkanit. Por krejt ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria është ajo që ka më tepër kantiere ndërtimi.
Në Shqipëri 81 hidrocentrale janë në ndërtim, ndërsa 305 të tjerë parashikohen të ndërtohen më tej. Në Serbi në ndërtim janë shumë më pak, vetëm 30, ndërsa ka projekte për 827 të tjerë. Më pas vjen Maqedonia me 22 në ndërtim e 153 në pritje, Bosnje dhe Hercegovina me 19 në ndërtim e 296 në pritje, ndërsa Kosova ka 14 hidrocentrale në ndërtim; vendet e tjera të rajonit nuk i kalojnë 10.
Në vendet e rajonit, përgjithësisht duket se nuk ka ngutje. Projekt-idetë për hidrocentrale kërkojnë studime të thella për ndikimin që kanë ato në ekosistemin natyror, zonat e banuara, por edhe trashëgiminë historike të zonave që preken.
Ajo që vihet re në Shqipëri është një mungesë transparence, konsultimi publik dhe shkencor. Në këtë situatë, kur koncesione për hidrocentrale po jepen edhe më shpejt se pallatet, shumë firma ndërtimi janë duke kaluar në sektorin e hidroenergjetikës.
Kompania “Gener2”, që po ndërton në Valbonë është shembulli konkret. Ndërkohë ka raste që hidrocentralet trajtohen thjesht si “asete imobiliare” duke u nxjerrë në shitje rëndomtë edhe me njoftime interneti.

Në një kohë kur sektori i ndërtimeve mbetet më kaotiku në Shqipëri, përvoja e pallateve në shkelje të plotë të ligjeve të urbanistikës, po ndërfutet edhe në sektorin energjetik, duke mundësuar ndërtimin e hidrocentraleve në anashkalim të parimeve gjeo-inxhinierike.
Hidrocentralet si një problem mjedisor për të gjithë rajonin. 
“Projektet e hidrocentraleve në Ballkan shtohen me 300% duke vënë në rrezik jetën e kafshëve të egra” kështu raportoi më 27 nëntor gazeta britanike The Guardian duke referuar hulumtimin e FLUVIS (Floodplain Ecology and River Basin Management, me bazë në Vjenë që ofron konsulenca gjeo-inxhinierike për rajonin e Ballkanit), hulumtim që tregonte se 2 796 hidrocentrale janë në fazë planifikimi, 188 janë në ndërtim dhe se 37% (1031) e hidrocentraleve të ideuara parashikohet të ndërtohen në zona të mbrojtura! (118 në parqe kombëtare dhe 547 të tjerë në zona me status “Natura 2000” pra të BE-së).
Nga raportimet e studimeve të ndryshme mbi mjedisin, ndikimi i parë është te peshqit e lumenjve. Sipas studimit të Jörg Freyhof (2012), rreth 75% e llojeve të kërcënuara të peshqve të ujërave të ëmbla në Ballkan janë shumë të ndjeshme ndaj ndërtimit të digave dhe ndryshimeve të habitateve që e shoqërojnë atë.
Raporti paraprak i Vjosës nënvizon mungesën e njohurive të mjaftueshme mbi faunën e peshqve të ujërave të ëmbla në Shqipëri. Në njoftimin e shtatorit 2017, ekipi kërkimor kërkonte studime më të plota përpara vendimeve mbi lejet e hidrocentraleve në Vjosë.
Ekspedita shkencore e prillit 2017 në Vjosë identifikoi insektin Isoperla vjosae, një lloj mizë guri, dhe një peshk ende pa emër shkencor. Raporti paraprak e dallon qartë insektin nga peshku dhe paralajmëron se ndryshimi i habitatit nga digat mund ta çojë këtë specie insekti drejt zhdukjes. The Guardian raportonte më 27 nëntor 2017 rrezikun nga hidrocentralet edhe për salmonin e Danubit dhe troftën e Prespës.

Këtu Ministri shqiptar i Energjitikës, mbron projektet e hidrocentraleve në Vjosë, duke thënë se parashikohen “bypass”-e peshqish, diçka kjo “bashkëkohore e praktikave më të mira të ndikimeve minimale në mjedis”.
Po sigurisht që fjala e një ministri shqiptar nuk mund të vlejë më tepër se qindra shkencëtarë që e vlerësojnë katastrofike ndaj gjallesave ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë.
Ndërsa i gjithë rajoni është ‘pushtuar’ nga projekte kaq të debatueshme për ndikimin në mjedis, rëndësi ka edhe financimi i tyre. Sipas botimit Bankwatch Mail të dhjetorit 2015, bankat ndërkombëtare të zhvillimit kishin mbështetur 75 projekte hidroenergjetike në Ballkan me 818 milionë euro kredi; Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim kishte mbështetur 51 prej tyre me 240 milionë euro. Këto shifra përshkruajnë financimin e projekteve të identifikuara nga raporti, jo koston e të gjitha 2800 projekteve të planifikuara.
Pas këtyre shifrave dhe faktit se shumica e investitorëve në rajon janë të huaj, krijohet një përshtypje negative se BE-ja për të përballuar kërkesat në rritje për konsum të energjisë brenda Unionit, nuk “e vret mendjen shumë” për mjedisin – sidomos për mjedisin e vendeve jo-anëtare – prandaj dhe në përgjithësi “ndërkombëtarët” në Shqipëri, janë gjithashtu të shurdhët, ndërsa protestat për Valbonën vazhdojnë që prej vitit 2016.
Saktësim, 15 tetor 2026: Shifrat e financimit janë korrigjuar nga miliardë në milionë euro dhe lidhen me kreditë për projektet e identifikuara në Bankwatch Mail, dhjetor 2015. Isoperla vjosae është identifikuar si insekt, veçmas peshkut ende pa emër shkencor, dhe ekspedita është datuar në prill 2017, sipas raportit paraprak të Vjosës. Kërkesa për studime përpara lejeve lidhet me Vjosën dhe i atribuohet njoftimit të ekipit kërkimor të shtatorit 2017; pohimi për salmonin e Danubit dhe troftën e Prespës i atribuohet The Guardian, 27 nëntor 2017.
Saktësim, 16 tetor 2026: Është saktësuar kuptimi dhe shtrirja gjeografike e shifrës 75% për peshqit, janë dalluar projektet e planifikuara nga ato në ndërtim në të dhënat e vitit 2015, është shtuar përjashtimi për Kosovën dhe është korrigjuar kohëzgjatja e protestave.