Mendime mbi librin “Përplasja e Qytetërimeve” (të Samuel Huntington)

Në këtë shkrim

Rrethanat e shkrimit të tezës

“Eshtë viti 1993. Shkëputja e Sllovenisë ka sjellë fillimin e fundit të Jugosllavisë. Kroacia ka shpallur pavarësinë duke i dhënë shkak serbëve për luftë, luftë që ka më se një vit që vazhdon edhe në Bosnje.

Në fillim të vitit Çekosllovakia është ndarë, ndërsa Gjeorgjia është mbytur nga konfliktet. Në fillim ishte problemi me Abkazinë, ndërsa tani krijimi i jo një por 2 Osetitive, pas asaj të Veriut, tashmë dhe Osetisë së Jugut, të gjitha këto nën petkun e një Rusie, edhe pse të dobët pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ende të fortë për të ushqyer rrymat separatiste në Kaukaz. Luftërat civile kanë kapluar Afganistanin, po luftime të tilla ka në Ruandë, Sudan, Nigeri, Algjeri e Sierra Leone.

Lufta e Gjirit ka përfunduar, por pas përvjetorit të Çlirimit të Kuvajtit, i sapo emëruari President, Clinton urdhëroi një sulm me raketa mbi Bagdad, kjo pas një “atentati të dështuar me bombë” ndaj ish-Presidentin Bush, i cili vizitoi Universitetin e Kuvajtit dhe gjatë vizitës së tij autoritetet kuvajtiane gjetën sasi eksplozivi poshtë disa makinave. Me sa thuhet ky atentat është organizuar nga njerëz të liderit iraken Saddam Hussein. Ndërkohë po Presidenti Clinton, mundësoi takimin e shumëpritur mes Kryeministrit Izraelit Yitzhak Rabin dhe liderit palestinez Yasser Arafat, duke i dhënë jetë Autoritetit Kombëtar Palestinez, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Oslos.

Kjo është ajo çka ndodh në Botë, por në New York, ndodh diçka tjetër: në shkurt, një shpërthim i fuqishëm, i rreth 680 kilogramëve eksploziv, shkaktoi 6 të vdekur dhe qindra të plagosur, kulla veriore e “2 Kullave Binjake” të njohura si World Trade Center, u sulmuan nga një grup terroristësh islamik që mendohet se ka prejardhje nga Pakistani.” Është kjo dinamika e ngjarjeve me të cilat do të përballesha nëse do të kthehesha pas në kohë në vitin 1993 për të kuptuar më mirë (pak-a-shumë) rrethanat që çuan Samuel Huntingtonin të shkruante artikullin e tij “Përplasja e qytetërimeve”, në Foreign Affairs. Artikull që do të hapte kaq shumë debate e më pas do kthehej në libër, libër i cili do t’i rezistonte kohës, aq sa edhe sot pas 21 vitesh vazhdon të jetë pikë reference për shumë analiza të zhvillimeve globale.

Ndarja në qytetërime

Në këtë artikull Huntington argumenton se pas Luftës së Ftohtë, konfliktet do të vinin si pasojë e një “përplasjeje mes qytetërimeve”, e shkaktuar kjo nga diferenca kulturore, pasi sipas tij qeniet njerëzore janë të ndara nga disa kufij kulturorë që i karakterizojnë civilizimet botërore. Për këtë Huntington merr përsipër ta ndajë Botën në 9 qytetërime që ai argumenton se janë më të identifikueshmet: 1) Perëndimi; 2) Qytetërimi Ortodoks; 3) ai Islamik; 4) Sinik; 5) Hindu; 6) Budist; 7) Japonez; 8) qytetërimi Afrikan dhe 9) ai Ameriko-Latin. Për secilin nga qytetërimet Huntington jep idetë e tij.

Disa, (si p.sh. qytetërimin sinik, budist, hindu apo akoma më shumë atë islamik), i përshkruan si qytetërime që nuk e pranojnë Perëndimin dhe bashkë me të (përgjithësisht) edhe modernizimin. Ndërsa qytetërimin Japonez Huntington e përshkruan si një qytetërim që bën mirë të aziatizohet, pasi as Perëndimi dhe as Azia nuk e kuptojnë si qytetërime të ngjashme me ta, pavarësisht se si vend ka arritur një nivel shumë të lartë të modernizimit. Ç’është e vërteta Huntington beson se modernizimi ka një raport të fortë me perëndimin dhe ai hedh si tezë 3 gjendje të marrëdhënieve të këtyre vendeve me këtë raport: ose përqafojnë njërën duke mohuar tjetrën ose i mohojnë dhe kundërshtojnë të dyja.

Feja, konfliktet dhe përgjithësimet

Autori ndalet shumë në përshkrimin e qytetërimeve nëpërmjet feve, e më shumë se kushdo qytetërim, ai ndalet tek qytetërimi islam. Huntington shprehet se ky qytetërim mban si thelb “një dashuri” ndaj fesë më shumë sesa dashurinë ndaj kombit shtet. Ai thotë se kultura e këtij qytetërimi nuk i mirëpret shumë idealet liberale si për shembull demokracinë, pluralizmin apo individualizmin, duke bërë që shumica e shteteve të këtij qytetërimi të kenë regjime shtypëse, autokratike dhe në përgjithësi prapambetje konservatore.

Ai shkon më tej duke sjellë si përfundim se “Islami ka kufij të përgjakur”. E teksa lexoja këtë qëndrim në mend më vinte një pyetje: A e ka shqyrtuar ndopak si mundësi idenë e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërmjet kulturave të ndryshme në saj të njohjes, Huntingtoni? A e dinte ai se Shqipëria i drejtohet Zotit me 3 fe të ndryshme, dhe pavarësisht kësaj ndërmjet shqiptarëve asnjëherë nuk ka pasur konflikte në “emër të Zotit”?!

A e dinte ai këtë para se ta klasifikonte Shqipërinë si nënqytetërim të qytetërimit islam? Mua më duket se jo! Gjithsesi…

Nëse vazhdojmë të flasim për, sipas Huntingtonit, qytetërimin islam, ky qytetërim na vjen si tërësi që tek-tuk merr hua nga Perëndimi disa vlera, apo më mirë të themi praktika, pa përqafuar idealet e tij. Huntington këtë praktikë e quan indigjenizim. Këtu duket sikur ai merr një pozicion përveçse paragjykues, pozicion edhe kolonialist, pra ofendues.

Kjo pasi koncepti indigjen (pikërisht në këtë mënyrë siç e përdor Huntingtoni) u krijua pas kolonizimeve të mëdha, dhe ai përdorej për të përcaktuar një grup të dallueshëm njerëzish që nuk ishte prekur nga proceset e kolonizimit, pra ishin të prapambetur. Huntington i mëshon idesë se Perëndimi mban vlerat më ideale të shoqërisë njerëzore dhe ndaj këto vlera qytetërimet e tjera duhet që t’i veshin duke u zhveshur nga vlerat dhe konceptet e tyre. Ai shkon më tej duke e përshkruar qytetërimin islam si një qytetërim të cilin Perëndimi duhet (për të mos thënë “ta ketë frikë”) duhet të përzihet sa më pak, pasi sa më shumë që të përzihet aq më të këqija do të jenë tensionet.

Autori ndalet shpesh në Luftën e Bosnjes, duke e sjellë me të drejtë edhe si një luftë fetare, ku vendet e Lindjes së Mesme “i dolën në mbrojtje” boshnjakëve duke kontribuuar me armë apo dhe me luftëtarë. Huntington shprehet se në përgjithësi kjo luftë u pa nga Perëndimi si një luftë fetare pavarësisht vuajtjeve të tyre. Autori e merr si shkas të luftës diferencat kulturore pavarësisht se ishin pjesë të një entiteti sllav.

Mendoj se Huntington ka të drejtë por kjo nuk jep shkas për të përgjithësuar që kështu do të ndodhë edhe në vazhdim. Rasti i Kosovës është një shembull që tregon të kundërtën e asaj çka nxjerr Huntington, lufta e Kosovës nuk u njoh nga perëndimi si një luftë fetare, edhe pse kosovarët në shumicë janë të fesë myslimane. Ajo luftë u njoh si një luftë e një populli që donte liri, dhe përballë masakrave dhe spastrimeve etnike, institucionet ndërkombëtare vepruan duke sjellë më pas edhe Pavarësinë e Kosovës.

Në këtë këndvështrim të Huntingtonit dhe duke iu rikthyer ngjarjeve që parashtrova në hyrje të kësaj eseje, ku kam dashur të tregoj se në ç’rrethana e ka shkruar ai idenë e tij të një Bote të ndarë nga dallimet kulturore, interesat kombëtare, dhe ideologjitë politike, nuk kam dyshim se një pjesë të mirë të përshkrimeve që ai bën tek kjo ide, i bën duke u nisur nga një realitet kaq të ndarë që po përjetonte ai në fillim të viteve ’93, e mbi të gjitha teksa Perëndimi, e sidomos Shtetet e Bashkuara po përballeshin me aktin e parë të terrorizmit që vinte nga Bota Islamike. Siç e përmend edhe Domenique Moisi në analizën e tij të Botës nëpërmjet emocioneve “Gjeopolitika e Emocioneve”, në këtë periudhë, pas luftës së Gjirit, e gjithë Bota Islame, që nga Kuvajti e deri në Marok, përjetoi një periudhë “poshtërimi, duke u identifikuar me luftërat dhe veprimet fundamentaliste”, (kjo gjë do të ndodhte sërish, madje në mënyrë edhe më ekstreme, edhe pas 11 Shtatorit, kur kësaj radhe poshtërimi do të ishte më i madh pasi “çdo mysliman do të identifikohej si terrorist”). Sërish vazhdoj me Moisin për të treguar një anë që Huntington në ’93-shin, nuk duhej të anashkalonte: kur flitet për ekstremizëm apo për terrorizëm, “çështja duhet të shihet përtej fesë islame”.

Dy vite pas publikimit të shkrimit të Huntingtonit, Kryeministri Izraelit, Yitzhak Rabin do të vritej “në emër të Zotit” nga një ekstremist çifut me emrin Jigal Amiri. Dymbëdhjetë vite më vonë shpërthimet terroriste në Madrid të Spanjës u organizuan nga grupi bask ETA. Gjashtë vite pas këtij sulmi, në Norvegji ekstremisti katolik Anders Breivik, me dy sulme të mirë-organizuara do të vriste 77 persona.

Pra nuk është feja islame në veçanti por feja në përgjithësi ajo që fryn dhe shfryn fundamentalizmin dhe aktet ekstreme të terrorizmit. Edhe feja që Huntington merr si gjenezë të Perëndimit, pra feja Krishtere. Pra nëse e shohim në këtë këndvështrim fenë, atëherë edhe Perëndimi duhet të ruhet nga Perëndimi.

Është e vërtetë që lufta kundër terrorizmit nuk mund të fitohet kurrë, por kjo është aq e vërtetë sa dhe fakti që edhe terroristët nuk mund të fitojnë kurrë, dhe ashtu sikurse thotë edhe Moisi, Perëndimi duhet të ketë kujdes kur demagogët e fryjnë luftën kundër terrorizmit për arsye politike. Pikërisht në këtë këndvështrim mendoj se Huntington do të ketë rënë pre e rrjedhës së ngjarjeve të kohës, dhe disa aspekte të qëndrimit të tij duhet t’i kenë ardhur pikërisht nga këto ngjarje, dhe duke i analizuar ato ka nxjerrë përgjithësime që kurrsesi nuk mund t’i qëndrojnë kohës më shumë sesa i kanë qëndruar, pavarësisht se disa (si për shembull ngjarjet në Ukrainë me krizën e Krimesë dhe trazirat në Lindje të Ukrainës) vazhdojnë të jenë aktuale.

Mediat dhe njohja mes kulturave

Por dua të ndalem në një aspekt tjetër, Huntington është kundër qytetërimit universal, ai thotë se nuk ka një të tillë. Kur e thotë këtë gjë, mendoj se ai anashkalon një fakt tjetër, mediat. Në të gjitha luftimet për të cilat flet Huntingtoni, media jo vetëm që përcjell zhvillimet dhe bën të njohur konfliktin, por edhe identifikon palët, bën me dije arsyet dhe mundëson njohjen.

Pikërisht tek kjo e fundit dua të ndalem, tek njohja. Në periudhën kur Huntington shkroi dhe hodhi tezat e tij, Bota ishte nën terrin e mungesës së një prej mediave, që aktualisht dhe akoma më shumë sesa sot në vazhdimësi, po dikton më shumë se çdo gjë jetën sociale të gjithë njerëzimit: Interneti. Shpejtësia e përcjelljes së informacionit, volumi i madh dhe aksesi i lehtë drejt tij ka sjellë një hap kolosal në komunikimin masiv dhe kur flasim për komunikim masiv flasim edhe për njohje, për qarkullim idesh, dhe rrjedhimisht edhe për kulturë.

Nëse i referohemi teoricienit kanadez Marshall McLuhan, mbi teorinë e tij të Fshatit Global, ku një informacion, ngjarje apo dukuri konsumohet dhe njihet tashmë nga i gjithë globi, dhe i shtojmë këtij këndvështrimi edhe zhvillimin e internetit dhe lehtësirave që ka sjellë në njohjen e kulturave të ndryshme që ekzistojnë jo vetëm në rajonet kufitare të qytetërimeve që përmend Huntingtoni por edhe Botën si tërësi, atëherë mund të themi se Bota sot është më “e njohur” me diferencat e saj kulturore dhe për rrjedhojë më e aftë për të kuptuar, duke sjellë si përfundim edhe aftësinë për të vepruar në kohë. Kështu që mendoj se ditët e sotme, 21 vite pas ideve të Huntingtonit, mund të ketë përplasje, konflikte që mund të rrjedhin si pasojë e ndryshimeve dhe diferencave kulturore, por kurrsesi konflikte që mund të çojnë në luftë, pasi institucionet ndërkombëtare sot janë më të efektshme në përballimin e këtyre konflikteve dhe ofrojnë zgjidhje më të shpejta e mbi të gjitha vetë njerëzimi po kalon një proces njohjeje. Rasti i Kosovës, të cilën Bota tashmë po e njeh si popull jo-serb, të lirë e të pavarur, e mbi të gjitha që institucionet ndërkombëtare po e fusin atë së bashku me Serbinë (dhe Rajonin në tërësi) drejt një rruge të përbashkët integrimi në Bashkimin Evropian tregon se këto konflikte që rrjedhin si pasojë e diferencave kulturore tashmë Bota, 21 vite pas idesë së Huntingtonit di t’i përballojë dhe t’i tejkalojë duke mundësuar integrimin e këtyre kulturave nëpërmjet njohjes në një kulturë në mos universale, prosperiteti dhe paqeje.

Lini një Përgjigje