Eurozona dhe politika monetare
Bashkimi Evropian lindi si nevojë dhe dëshirë ekonomike mes vendeve të Evropës perëndimore për të pasur lehtësira në tregtinë e lëndëve të para mes tyre dhe shumë vite më vonë pas traktatit të Maastrichtit (1992) kësaj dëshire ekonomike iu shtua edhe ajo politike që e çoi këtë bashkim në një nivel tjetër. Ishte traktati i Maastrichtit ai që parashikoi dhe strukturoi bashkimin ekonomik dhe atë monetar; euroja u prezantua si monedhë në vitin 1999, ndërsa kartëmonedhat dhe monedhat metalike hynë në qarkullim në vitin 2002.
Që nga ajo periudhë, e deri më sot, (sidomos kohëve të fundit pas krizës Greke) të shumta kanë qenë tezat pro dhe kundër monedhës së përbashkët. Britania e Madhe ishte një nga kundërshtaret më të forta të kësaj ideje dhe që nga diskutimi për traktatin e Maastrichtit ajo mbajti një qëndrim haptazi kundër monedhës së përbashkët. Në kohën e botimit të këtij shkrimi, në maj 2013, vetëm 17 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian ishin pjesë edhe të “Zonës Euro”.
Politikat monetare të këtyre vendeve “përcaktohen” nga Banka Qendrore Evropiane, pra disa nga mekanizmat kryesorë të makroekonomisë së këtyre vendeve administrohen nga një institucion jo kombëtar por ndërkombëtar. Politika monetare ndikon në rritjen e GDP-së dhe në papunësi, ndërsa objektivi kryesor i Bankës Qendrore Evropiane është stabiliteti i çmimeve; kështu duke mos pasur “në dorë” një instrument kaq jetik për ekonominë siç është Banka Qendrore, vendet në zhvillim janë të pambrojtura nga krizat ekonomike përderisa politikat monetare zbatohen njëjtë për të gjitha shtetet e aderuara në euro-zonë, pasi kemi të njëjtën monedhë. Këtu qëndron edhe thelbi i tezës së shumë analistëve ekonomikë të cilët krizën Greke ia adresojnë dhe fajësojnë këtë strukturë politiko-ekonomike.
Aktualisht jemi në një moment shumë delikat, shumë analiza (disa dhe ekstreme) hamendësojnë se kjo monedhë rrezikon të zhduket nëse kriza e eurozonës vazhdon.
Shumë vende që janë pllakosur nga kriza ekonomike kanë shqyrtuar si opsion të mundshëm daljen nga eurozona dhe kthimin e monedhës kombëtare të mëparshme (shembull konkret është Greqia me dhrahminë) me qëllim që përmes rifitimit të sovranitetit mbi politikën monetare të zhvlerësojë monedhën e saj dhe të rrisë konkurrueshmërinë brenda BE-së ose edhe në arenën ndërkombëtare. Këtë gjë asnjë vend (nga 17 të tillët) nuk mund ta bëjë si vend pjesëmarrës në eurozonë me qëllime “vetjake”, sepse siç thashë më sipër, politika monetare është “komunitarizuar” domethënë është kompetencë ekskluzive e Bankës Qendrore Evropiane, dhe si e tillë është ky institucion që përcakton një politikë të qartë për Unionin në tërësi dhe jo për vende të caktuara në veçanti.
Debati mbi euron në Shqipëri
Lidhur me vendin tonë, me sa kam dijeni, anëtarësimi në BE sjell angazhimin për pranimin e euros, por nuk ka një afat të paracaktuar: vendi përcakton strategjinë për përmbushjen e kushteve, ndërsa hyrja kërkon plotësimin e kritereve të konvergjencës dhe një vendim të Këshillit të BE-së. Shembull konkret janë Bullgaria dhe Rumania, të cilat janë integruar së fundmi në BE (në vitin 2007) dhe nuk kanë “ndërruar” monedhën e tyre. Nuk është rastësi që vende si Hungaria dhe Polonia (apo dhe vende të tjera) edhe pas 9 vitesh aderimi në BE ende nuk e kanë pranuar euron si monedhë të tyren pikërisht lidhur me transferimin e kompetencave mbi politikat monetare.
Aderimi në euro ka shumë dizavantazhe, sidomos lidhur me mbajtjen nën kontroll të inflacionit, që mbahet nga Banka Qendrore Evropiane në nivele 3 %, që janë komode për vende të zhvilluara (si Gjermani, Franca etj) dhe të papërshtatshme për vende në zhvillim si vendi ynë. Tjetër dizavantazh lidhet me prodhimin vendas dhe eksportet, një monedhë e përbashkët (dhe e fortë siç është euroja) do të rriste kostot e prodhimit dhe mallrat tona nuk do të mund të konkurronin më dot me anë të çmimit ashtu sikurse bëjnë aktualisht, pasi dihet cilësia e mallrave të huaja në raport me ato të vendit tonë.
Aktualisht turizmi ynë “konsumohet” më shumë për shkak të çmimeve të ulëta sesa për vendet dhe resurset që ofron. Shqipëria kapitalizon të ardhura më shumë vetëm me anë të zhvlerësimit të lekut kundrejt euros, politikë që zbaton vetë Banka jonë qendrore në rrethana të caktuara kohore. Kursimet e emigrantëve tanë janë në euro dhe vetëm me anë të kursit valutor puna e tyre jashtë territorit të Shqipërisë vlerësohet shumë herë më shumë sesa do të vlerësohej nëse do të kishim euron si monedhë.
Për mendimin tim kjo është dhe arsyeja e vetme se përse ndodh kthimi i emigrantëve për pushime apo dhe përgjithmonë në vendin tonë.
Aktualisht euro përdoret dhe gjen likuiditet në shumë aktivitete të vendit, de fakto euro është futur në vendin tonë, por ende jo de jure. Pse duhet të aderojmë në euro-zonë kur aktualisht në “tregun e mrekullueshëm” të informalitetit tonë, euro gjen mjaft përdorim ashtu sikurse monedha kombëtare e jona. Mendoj që Shqipëria duhet të mbajë këtë pozicion të tanishëm edhe në rast se aderon në BE, pasi është i vetmi pozicion i cili garanton më shumë anë pozitive sesa negative për ekonominë e vendit tonë.
* Saktësim redaksional, 9 tetor 2026: Pasazhet e mësipërme për inflacionin dhe kursin e këmbimit ruajnë argumentin e autorit të vitit 2013. Objektivi i BQE-së në prill 2013 ishte inflacioni nën, por pranë, 2% në afat të mesëm, dhe jo 3% siç thuhet më sipër (deklarata e BQE-së). Regjimi i lirë i kursit të këmbimit në Shqipëri lejon ndërhyrjen e bankës qendrore; ky klasifikim, i vetëm, nuk përcakton nëse autoritetet kanë synuar të nxisin zhvlerësimin në momente të caktuara (studim i Bankës së Shqipërisë, 2007; studim mbi ndërhyrjet gjatë viteve 2000–2014).
Në këtë version janë saktësuar datat dhe numrat historikë: euroja nisi më 1999 dhe paraja e saj fizike më 2002; në maj 2013 eurozona përfshinte 17 nga 27 anëtarët e BE-së; Bullgaria dhe Rumania hynë në BE më 2007; ndërsa nga anëtarësimi i Hungarisë dhe Polonisë më 2004 kishin kaluar nëntë vjet (historiku i euros; kronologjia e anëtarësimeve). Është sqaruar gjithashtu se pranimi i euros nuk ka afat të paracaktuar, por kërkon plotësimin e kushteve të konvergjencës dhe vendim të Këshillit të BE-së (shpjegimi i Komisionit Evropian).
Ju përgëzoj për punët dhe aktivitetete e bllogut ERBLIN VUKAJ.
Ju falenderoj per komentin tuaj! 🙂