Në këtë shkrim
Pasqyrimi mediatik i sportit shqiptar
Sporti dhe specifikisht futbolli shqiptar, për mendimin tim, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit ka pasur jo vetëm krizë në investime por dhe krizë nga vëmendja publike. Arsyeja e krizës së vëmendjes publike, për mua, nuk lidhet vetëm me mungesën e investimeve, por edhe si pasojë e “indiferencës” mediatike, herë me dashje dhe herë padashje, të mediave tona.
Vëmendja mediatike, që dikton dhe vëmendjen e publikut, shihet fare mirë nga koha që i kushtojnë mediat shqiptare sportit në një edicion lajmesh. Zakonisht kronikat sportive në to përdoren për të mbyllur edicionin dhe në të shumtën e rasteve është vetëm një kronikë, që pothuajse gjithmonë nuk është për sportin shqiptar. Në qoftë se përqendrohemi tek futbolli, për të, “të kualifikuara” nga publiku, janë vetëm 3 emisione (edhe pse duhet thënë që përgjithësisht në mediat tona nuk ka fare emisione sportive).
Pa reklamuar dhe pa i hequr meritën askujt, emisioni më i ndjekur është “Procesi Sportiv” i Edi Manushit e Marina Vjollcës, më pas vjen “Skaner Kampionat” i Gerti Çarçanit dhe “Rubrika Sportive” e Enkeleida Zekos. Nga të tre, (që janë posaçërisht për futbollin) vetëm “Rubrika Sportive” i kushtohet tërësisht kampionatit shqiptar.
Kështu, përballë një gjendjeje të tillë, kaq të diferencuar e të mangët, për një të interesuar drejt lajmeve sportive, është shumë e vështirë të qenit në dijeni për futbollin apo sportin tonë në tërësi. Fatkeqësisht sportin tonë mund ta gjejmë lehtë vetëm në gazeta (dhe pak në internet), gjë që në Botën perëndimore ka kohë që nuk ndodh, pasi ka gjithmonë e më shumë TV dhe web-site që i dedikohen plotësisht atij. Përveç kësaj, mediat tona edhe “e vrasin” sportin tonë.
Ato i shkaktojnë mjaft dëme imazhit të sportit kombëtar duke e pasqyruar atë vetëm në “ditët e këqija” të tij. Mjafton të përmendim që transmetohen nga të gjitha TV pa përjashtim rastet skandaloze në fushë, ofendimet e tifozëve, grindjet apo dhe kërcënimet e pushtetarëve ndaj sportistëve. Mediat bëhen “sulmuese” edhe atëherë kur duhet “t’i mbrojnë” figurat e sportit dhe sportin në përgjithësi.
(Rastet e përfolura për doping të Fetije Kasajt, Shqiponja Brahjës apo dhe së fundmi Erkand Qerimajt, e kanë tronditur peshëngritjen tonë). Askush nuk i mbron sportistët tanë. Po të mbledhim dhe zbresim mbulimet “për mirë” dhe mbulimet “për keq” del që, në TV, publiku për sportin tonë “sheh” më shumë gjendjen e keqe të tij.
Normalisht kjo ndikon edhe në formimin e një opinioni rreth sportit që përgjithësisht është negativ.
Promovimi dhe të ardhurat nga sporti
Mediat sot janë mjet efikas për promovim. Sporti, të ardhurat kryesore i ka nga të drejtat televizive, ndërsa specifikisht futbollistët, nga reklamat dhe shitja e imazhit të tyre. (Mjafton të përmendim David Beckhamin që ende është imazh reklamash për shumë industri prestigjioze).
Që diçka të shitet gjithçka nis nga informacioni. Kështu ka nisur edhe David Beckham me të përditshmet britanike që hapeshin gjithmonë me të, qoftë për mirë qoftë për keq. Kështu edhe Cristiano Ronaldo, të cilit jeta i është bërë si personazh reality-show, si personazh Big-Brotheri.
Pavarësisht cenimeve etike apo sulmeve mediatike, David Beckham i pari dhe Cristiano Ronaldo i dyti sjellin të ardhura që i kalojnë 35 milionë eurot në vit dhe bashkë me to edhe vëmendjen publike.
Futbollistët shqiptarë dhe vëmendja publike
Tani kthehemi tek futbolli ynë, nëse duam ta bëjmë të shitet, na duhet informacioni. Për të thënë më saktë, nëse duam “të shesim” kampionatin, sportin tonë, kërkohet të nxirren personazhe të cilat bashkë me imazhin e tyre të bëjnë të konsumohet edhe informacioni. Kjo gjë mungon, sot kemi vetëm dy “personazhe që konsumohen” të sportit shqiptar.
I pari është Lorik Cana (që luan me Lazion) i dyti është Erkand Qerimaj (që është kampion në peshëngritje).
Mediat çalojnë për të pikasur personazhe të tjera që mund të jenë “komercial” për sportin tonë. Në shumë raste atyre u kanë ikur nga dora mjaft të tillë, p.sh: Jahmir Hyka, i cili ishte një talent që mediat mund ta përdornin për të promovuar “rilindjen” e futbollit në Shqipëri. Së fundmi pak ditë më parë edhe Elvis Kabashi apo Suad Sahiti të cilët u tha se u transferuan tek Juventusi e tek PSG.
Stivi Frashëri, Armando Vajushi apo dhe Bekim Balaj janë disa emra të tjerë të “vegjël” që mediat shqiptare nuk i promovojnë. Vlen për t’u marrë shembull Kosova, që Xherdan Shaqirin 20-vjeçar e ka ndjekur nga pas dhe e ka vlerësuar që në fillimet e tij. Sot ai luan me Bayern Munchen dhe është një lojtar që vlerësohet rreth 12.5 milionë euro.
Nga kjo anë, nga mungesa e promovimit mediatik të futbollit tonë, vjen dhe mangësia në kombëtare (normalisht përveç mangësive në investime dhe gjendjes së ulët të kampionatit).
Niveli i ulët si dhe mungesa e futbollistëve që vijnë nga Superliga jonë për Kombëtaren, vjen edhe për shkaqe ekonomike. Emrat e kampionatit tonë nuk tërheqin “para”, reklama, ata nuk “shesin”. Ndaj vlera e përgjithshme e kombëtares sonë mbetet në rënie pasi dhe lojtari kryesor, i yni Lorik Cana (që vlerësohet diku tek 5 milionë euro) është në rënie.
Për mendimin tim në sportin tonë nuk do të ketë kurrë zhvillim nëse mediat nuk e pasqyrojnë të paktën kërkesën për zhvillim.